Luftëtari i drejtuar nga Hito Hitaj dhe Theodhori Kalluci ka pasur një ekip me lojtarë të talentuar në vitet ’90, të cilët më pas u bënë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.

Edhe pse pozicioni më i mirë në ato vite ka qenë vendi i pestë në një kampionat me 16 ekipe, sërish gjirokastritët shquheshin për lojën e bukur dhe lojtarët cilësorë që kishin në përbërje, duke iu afruar sadopak brezit të artë të viteve ’70-’80 me yje si Sefedin Braho, Theodhori Kalluci, Astrit Boni, Luan Seiti etj. Bëhet fjalë për emra si Altin Haxhi, vëllezërit Arian dhe Altin Xhumba, Arian Bellai, Neritan Novi, Gjergji Kalluci, Odise Grabova, Arben Çoni, Roland Miho, Aurel Kaci, Dritan Kristidhi, Arian Puto e shumë të tjerë.

Mes tyre ishin edhe dy elementë të zbuluar nga trajneri Hito Hitaj në ekipet fqinje të Tepelenës dhe Memaliajt, pikërisht Nalton Musta dhe Arben Shehu. Ky i fundit shumë shpejt do të bëhej sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, teksa në sezonet 1994-1995 dhe 1995-1996 shënoi në total 37 gola. Kulmi ishte në sezonin 1994-1995, ku realizoi 21 gola dhe fitoi “Këpucën e Artë” të atij kampionati.Ish-sulmuesi i Luftëtarit sfidoi në vitin 1995 një nga golashënuesit e shquar shqiptarë, Indrit Fortuzi, i cili shënoi atë sezon 18 herë, tre më pak se Shehu. Historia me futbollin e ish-bomberit me origjinë nga Memaliaj nis që në vitin 1984, kur fillon të luajë me Minatorin në Kategorinë e Dytë.

Më pas arrin të debutojë në Kategorinë e Parë me Luftëtarin në sezonin 1990-1991, pikërisht në moshën 23-vjeçare. Largohet për dy vite në Greqi dhe rikthehet në Gjirokastër, duke luajtur me fanellën bluzi nga viti 1993 deri në 1998-ën.

Ndërsa Tepelena, Memaliaj dhe Butrinti i Sarandës kanë qenë ekipet e fundit që ka luajtur futboll deri në vitin 2004. Sot, në moshën 53- vjeçare, Arben Shehu rrëfehet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar momentet më pikante të karrierës së tij me fanellën e Luftëtarit, bisedën me ish-trajnerin Hito Hitaj dhe deri te krenaria që u bë një idhull për tifozët gjirokastritë.

Arben, së pari si e keni përjetuar situatën e pandemisë?

Ne sportistët nga natyra jemi impulsivë. Pra, jemi mësuar të jemi në lëvizje dhe pranë natyrës. Qyteti i Memaliajt, ku unë banoj, si dhe marrëdhëniet që kam me punën që bëj, ma kanë bërë më të lehtë këtë periudhë. Bëj më shumë se 10 kilometra çdo ditë me këmbë, asnjëherë nuk jam shkëputur nga stërvitja. Futbolli është si ushqim shpirtëror.Në këtë periudhë të shumtë janë ata që kujtojnë të kaluarën. Megjithatë, brezi i viteve 2000 pak e dinë se ju jeni një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar të sezoneve 1994-1995 dhe 1995- 1996…

Më vjen mirë që të paktën ju si media nuk harroni të vlerësoni atë që kemi dhënë ndër vite për futbollin. Unë u bëra futbollist nga profesori i nderuar, Hito Hitaj.

Si e kujtoni ditën e parë te Luftëtari?

Po, e kujtoj shumë mirë, sepse janë gjëra që nuk harrohen. Në vitin 1990, bashkë me dy shokët e tjerë të ekipit në Tepelenë, Bektash Çaushi dhe Bledar Ruçi, erdhëm për t’u provuar te Luftëtari. Profesor Hito Hitaj na vëzhgoi me imtësi dhe në fundin e një seance, më tha: “Vetëm ti Arben do qëndrosh te Luftëtari”. Në fakt, më bëri shumë përshtypje vendimi i trajnerit. Nuk e besoja këtë gjë dhe nuk durova derisa e pyeta: “Pse vetëm unë profesor dhe jo dy shokët e tjerë”? Përgjigjja e profesorit më ka mbetur në mendje…

Çfarë ju tha Hitaj?

Më tha kështu: “Ti vrapoje me topin me kokën lart dhe luaje më thjeshtë. Kategoria e Parë të tillë lojtarë do…”. Sot që e kujtoj këtë, më duhet të falënderoj profesor Hiton për mundësinë që më dha në ato vite të arta. Por, më duhet të them se dy shokët e mi ishin të talentuar dhe më të mirë se unë, pavarësisht se te Luftëtari mbeta vetëm unë. Pas vitit 1991 u largova drejt Greqisë në emigrim, por u ktheva shpejt dhe bëra disa sezone të paharrueshme në Gjirokastër.

Si ishte futbolli i atyre viteve, çfarë ju bënte më shumë përshtypje?

Unë kam luajtur qendërsulmues tipik dhe më është dashur të përballem me mbrojtës të ndryshëm, por mbi të gjitha shumë të fortë. Luhej një kampionat shumë i ashpër dhe në fusha të vështira. Kishte sezone me 16 apo 18 skuadra dhe shumë ekipe luftonin për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Kujtoj që Laçi ka qenë një skuadër e egër, që luante një futboll të ashpër, sidomos në fushën e tij. Tani më vjen ndërmend një episod në vitin 1995, që më vjen edhe për të qeshur.

TOMOR SHEHU