Ambasadorja Yuri Kim ka çuditur jo pak me një mesazh pasditen e së enjtes. Përmes Twitter, kryediplomatja amerikane thotë se uron që palët të mos kenë bërë ndonjë marrëveshje në kurriz të reformës në Drejtësi.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë.” – thotë Kim.

Ky reagim vjen pas takimit të presidentit Meta me opozitën dhe zbardhjes së takimit nga Fatmir Mediu, shkruan javanews.al

Propozimi që Presidenti Meta ia ka bërë të ditur Kryeministrit, ambasadorëve të BE-së dhe opozitës, përfshin çështje nga Reforma Zgjedhore, deri tek ngritja e një Këshilli Politik për Çështjet e Drejtësisë.

“Ia ka parashtruar edhe zotit Rama dhe ndërkombëtarëve, ka diskutuar edhe me përfaqësues të opozitës përpara se të ndodhte ngjarja e teatrit. Në të përfshihen disa çështje, zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfundimi i Reformës zgjedhore, ecuria në sistemin e drejtësisë. Për të shkuar edhe në bashkëpunim politik për të bërë amendime të ndryshme të nevojshme për të pasur një drejtësi të nevojshme që kalojnë përmes një Këshilli Politik përpara se të miratohen nga pikëpamja juridike në parlamentin e Shqipërisë” – tha sot Mediu për TV Klan.

Kjo pikë mund të jetë arsyeja e reagimit të ashpër nga ana e SHBA që i druhet ndërhyrjeve në reformë përmes mekanizmave të reja.