Kryeministri Edi Rama propozoi sot që “me subjektet përfituese të shpronësimeve në zonat e rindërtimit të lidhet një kontratë që të marrin si kompensim nga ndërtimi një hapësirë shumë më të mirë dhe shumë më të favorshme se sa ajo që kanë sot”.

Gjatë prezantimit të planeve të Rindërtimit për Krujën, Rama u ndal te çështja e shpronësimeve.

“Dua ta kujtoj këtu dhe përfitoj nga rasti për ata që na ndjekin, që ofertën e parë këtyre që janë në të drejtën e tyre subjekt i marrjes së një pagese për pronën, duhet t’ua bëni për një shkëmbim në natyrë. Pra, ata që do të humbasin një objekt apo hapësirë të caktuar, qoftë të përdorshme, qoftë truall, t’ju propozohet të marrim si kompensim nga ndërtimi një hapësirë shumë më të mirë dhe shumë më të favorshme se sa ajo që kanë sot, në ato situata absurde që janë sot atje”, – tha Rama.

Ai i kërkoi kryetarit të bashkisë së Krujës që t’ua propozoj subjekteve këtë gjë, pasi është më e mira edhe për të shmangur shpenzimet e tepërta, edhe për ata vetë që të kenë mundësi të fitojnë një pronë të patundshme realisht dinjitoze.

“T’u jepet mundësia që të nënshkruajnë një marrëveshje të tillë. Nëse nuk duan, patjetër që do të përfitojnë nga procedura ligjore e shpronësimit. Subjektet dihet se kush janë, nuk duhet të humbasim kohë por i kontaktoni nëse duan përfundimisht marrëveshje për të marrë pronë në atë që do të rindërtohet apo thjesht shpronësim”, – tha Rama.

Duke folur për procesin e rindërtimit, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se “i vetmi merak që kemi nga ana proceduriale është procesi i shpronësimit, që besoj se kryetari i bashkisë së Krujës të përshpejtojë procesin në pjesën e Thumanës. Ashtu sikurse edhe me Kurbinin po përshpejtojmë shpronësimin e Laçit. Mendoj se të dyja VKM-të vijnë javës që vjen në qeveri dhe pastaj të fillojë procesi i pagesës për të gjithë ata që janë të shpronësuar”, – tha Ahmetaj.