Nga Mero Baze

Nuk dua të bëj një listë të gjatë gazetarësh shumë të njohur që kanë lëvizur mes punës së gazetarit dhe asaj të këshilltarit mediatik të disa politikanëve, apo institucioneve në Shqipëri, për vite të tëra, pasi nuk e quaj këtë mëkatin e tyre të madh.

Zhurma e ditëve të fundit për gazetarë të punësuar si këshilltarë, apo “investigime” rreth biznesit të familjarëve të gazetarve, janë fushata linçuese që nuk kanë të bëjnë me korrupsionin në shtyp, por me interesa klienteliste linçuesish.

Gazetarë që kanë punuar këshilltarë shtypi në institucione ka 30 vjet që njihen në Shqipëri. Mëkati i madh i lirisë së shtypit në Shqipëri, nuk është personaliteti i gazetarëve, apo mbijetesa e tyre, por personaliteti i pronarëve që diktojnë fatin e tyre dhe transparenca e financimit të medias në Shqipëri.

Ky është problemi, ku zë fill i ashtuquajturi korrupsion në shtyp. Çdo gjë tjetër buron prej këtu.

Për të kuptuar nëse një gazetë, një televizion apo portal, është i lire të shkruajë çfarë mendon, shiko nëse është i lirë të financohet nga tregu. Dhe për këtë, ka të dhëna publike.

E kuptoj që është lehtësi e madhe që ushtria e anonimëve të sulmojë emra publik në shtyp. E kuptoj po ashtu që është acaruese të përballesh me një ushtri anonimësh të frustruar në rrjetet sociale, që të urrejnë dhe pse je gjallë, por e keqja e këtij vendi nuk janë gazetarët që janë afër politikës, pasi ata ashtu siç janë, kanë bërë më shumë beteja se të tjerët për të mirën publike nga pozicioni i tyre. Biles dhe duke ndërruar pozicione.

Problemi me lirinë e shtypit, dhe sidomos me urrejtjen e “puritanistëve” që të bëjnë moral, janë mediat pa të ardhura publike të verifikueshme dhe që nuk janë transparente, se kush i financon.

Ka plot media opozitare serioze Shqipëria, që ti e kupton se janë në treg se kanë reklama dhe të ardhura të verifikueshme.

Lapsi.al për shembull, ka pozicion editorial opozitar, bile shpesh radikal, por ata i kanë të ardhurat publike të verifikueshme. Reklamat në faqe tregojnë se ata janë pjesë serioze e tregut të shtypit.

Liria editoriale është pjesë e lirisë së shtypit, bile tregues që Qeveria nuk është si ajo e Berishës dikur, që përgjonte mos kishte reklama media opozitare.

Problemi i shtypit sot në Shqipëri janë mediet anonime, pronarët e fshehur, ose më mire të themi, pagatorët e linçuesve të shtypit.

Është më mercenar ai shtyp që ushqehet nga burime financiare të fshehta, që nuk ka asnjë reklamë në faqe dhe ndërkohë paguan rroga për 20 gazetarë. Është më i korruptuar shtypi anonim, që punon për llogari të një linçuesi, se sa gazetarët publik, që menaxhojnë jetën e tyre me këto halle që ka Shqipëria.

Transparenca e pagesave, transparenca e buxheteve të shtypit, mënyra si ata fitojnë lekët për buxhetin e gazetarëve, është korrupsioni real tek shtypi. Aty kërkoni ku financon Qeveria, apo ish- hajdutët e Qeverisë së kaluar.

Dhe për ta mbyllur me humor të zi këtë temën e “korrupsionit” të gazetarëve, duhet të them se shtypi do të vazhdojë të mbetet një mallkim për çdo hajdut apo të korruptuar në këtë vend, për ata, që pasi vjedhin gjithçka, pasi vrasin dhe mendojnë se e kanë siguruar jetën me miliardat e tyre, prapë shtypi ua merr lekët. Ai është përmbaruesi më i madh i kësaj race.

Ja shikoni si janë katandisur dy ish- kryeministra dhe presidentë në këtë vend. Janë bërë bashkë dhe kanë futur paratë tek një medie e re, që starton me 10 milionë euro pa asnjë reklamë, pa asnjë të ardhur publike, dhe gjoja në emër të luftës kundër korrupsionit me CEO të saj, një ish- drejtor Tatimesh, që ka qenë simbol korrupsioni.

Në fund, për të mbrojtur kokën, tek shtypi po dorëzojnë lekët dhe hajdutët e familjes Berisha. Mos thoni tani që ata që i marrin këto lekë si gazetarë janë të korruptuar. Ata ashtu ua kanë marrë dhe hajdutëve të tjerë, mafiozëve të drogës dhe plehrave, dhe kush ka pas nevojë të ndërtojë shtyp për të mbrojtur veten në këtë vend, pasi ka vjedhur e vrarë.

Ky është problemi i korrupsionit që financon shtypin në Shqipëri, por jo problem i gazetarëve. Është problem i atyre që kanë mbetur në dorë të shtypit.