Shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe pedagogu Mark Marku, hyri “fort” në debatin për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, së pari duke u shprehur me zjarr se kryeministri Rama i ka shpallur luftë demokracisë sepse teatri ishte monument kulture dhe duhej rikonstruktuar, dhe së dyti, duke quajtur leckë aktorin e madh, Robert Ndrenika dhe trafikant aktorin tjetër të madh, Viktor Zhusti, pse ata duan një Teatër të ri Kombëtar.
Por, nëse për sharjet ndaj dy aktorëve të mëdhenj të skenës dhe kinematografisë shqiptare, pedagogu që u jep leksione çdo ditë studentëve, që më pas bëhen gazetarët e rinj të medias shqiptare, mori si përgjigje vrerin e rrjetit, për deklaratën se ndërtesa e Teatrit Kombëtar ishte monument kulture, ka disa fakte që e nxjerrin cullak përpara opinionit publik, ashtu si shumë të tjerë që sot shiten si “dashnorë” të teatrit.
Në vitet 2005-2009, krahas të qenit pedagog i përjetshëm në UT, Mark Marku ka ushtruar edhe detyrën e Këshilltarit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e Sali Berishës. Një fakt që vërtetohet lehtë nga jetëshkrimi i tij, botuar në faqen e Departamentit të Gazetarisë. Pra, kur ministri i atëhershëm i Kulturës, Bujar Leskaj, në vitin 2007 përjashtonte nga lista e Monumenteve të Kulturës Teatrin Kombëtar, si një godinë të pavlerë, Marku e këshillonte ministrin pikërisht se si ta hiqte nga lista e mbrojtur këtë godinë.
Nuk mbaron me kaq, sepse në vitin 2009, Marku u zgjodh deputet nga listat e Partisë Demokratike dhe për 4 vjet ka qenë edhe nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Kulturës. Por, në asnjë moment dhe për çudinë e askujt, Marku nuk e ka ngritur asnjëherë të vetme çështjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, qoftë edhe për ta hedhur si debat në ndonjë nga seancat e komisionit, ndërsa tani guxon të anatemojë dy nga kolosët e artit skenik shqiptar, si Ndrenika dhe Zhusti.
Me çfarë morali sot, pedagogu i përjetshëm i gazetarisë, Mark Marku flet për mbrojtjen e një godine të vjetëruar, kur pak kohë më parë, për 8 vjet me radhë, kishte mundësinë që ta shpallte Monument Kulture, e në fakt ka bërë të kundërtën, duke e hequr fare nga lista e monumenteve të mbrojtura?
Me sa duket, ashtu si shumë të tjerë që i janë ngjitur pas çështjes së Teatrit të Kulturës, edhe pedagogu i përjetshëm i gazetarisë, po bën luftën e tij për një mandat të dytë deputeti. Marrë nga Tema