Pesë vite më parë, në 2015-n, Këshilli Bashkiak i qytetit të Hagës miratoi prishjen e ndërtesës së vjetër të Teatrit dhe ndërtimin e kompleksit të ri “Amare”. Bëhet fjalë për një godinë të projektuar në shtator të vitit 1987 nga aktitekti me famë botërore Rem Koolhaas, i cili u nddërtua në po të njëjtin vit me kapacitete financiare minimale dhe ka qenë nën kujdestarinë financiare të shtetit holandez.
Me 1001 vende dhe një garazh parkimi nën sallën kryesore, në teatrin e emërtuar fillimisht “AT&T” (AT&T Dance Theater) janë zhvilluar shumë veprimtari artistike, jo vetëm shfaqje teatri, por edhe shfaqje muzikore, opera familjare për fëmijë (musicals), si dhe spektakle baleti klasik dhe modern. Teatri, që disa vite pas ndërtimit u quajt “Dr. Anton Philipszaal”, qëndroi i hapur për publikun për 28 vjet rresht, që nga 1987 deri në 2015, vit ky kur Këshilli Bashkiak i qytetit të Hagës vendosi prishjen e tij.
Vendimi i Këshillit Bashkiak u mor pas vlerësimit që iu bë ndërtesës së teatrit, ku u vlerësua se godina ishte e vjetëruar dhe i kishte shërbyer qëllimit të saj kryesor. Ndonëse pati disa kundështime, – të cilat kërkonin rinovimin e ndërtesës ekzistuese të teatrit të vjetër por që kërkonin kosto të madhe, – vendimi i Këshillit Bashkiak të Hagës i vitit 2013 i hapi rrugë ndërtimit të një kompleksi të ri artistik në zemër të Hagës, i quajtur “Spuikëartier”.
Projekti i kompleksit të ri, i hartuar në vitin 2014, – kostot e ndërtimit të cilit sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nuk mund të tejkalonin vlerën një maksimale prej 181 milionë euro – përfshin hapësira të reja teatrore, si dhe hapësira për argëtim, hotele dhe dyqane. Pas shembjes së teatrit të vjetër “Dr. Anton Philipszaal” në vitin 2015, filloi edhe ndërtimi i kompleksit të ri artistik, i quajtur “Amare”, i cili është parashikuar të jetë gati deri në fund të vitit 2021, ku artdashësit e Hagës do të mund të ndjekin edhe shfaqjet e ndryshme artistike në teatrin e ri.