Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur turin e takimeve me fermerët dhe agropërpunuesit, për t’i informuar mbi skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë 2020. Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca në takimin e zhvilluar sot në Kosan, të Malësisë së Madhe me fermerë të zonës, i bëri thirrje komunitetit rural të aplikojë për të përfituar subvencion për shtimin e tufave bazë në blegtori, bletari e zëvendësimin e plastmasit termik.

Gjithashtu theksoi Krifca, këtë vit Skema Kombëtare e mbështetjes me fondet e qeverisë financon fermerët edhe për mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, mbështet zhvillimin e fermave organike si dhe certifikimin Global Gap. Turizmi rural është gjithashtu një masë tjetër e kësaj skeme që do të adresojë subvencion për fermerët dhe banorët e zonave rurale që duan të ngrenë bujtina dhe oaze agroturistike. Aplikimet bëhen vetëm online në e-Albania nga data 29 maj deri në 19 qershor, deklaroi Krifca. Fermerët e pranishëm në takim shprehën interes të madh për të përfituar nga Skemat e Mbështetjes veçanërisht siç thanë ata, për masën që i adresohet bimëve mjekësore, ku Malësia e Madhe shquhet si ndër prodhuesit dhe eksportuesit më kryesorë.