Samiti BE-Ballkani Perëndimor i parashikuar të mbahej në Zagreb do të zhvillohet sot, më 6 maj 2020 në formën e një videokonference për shkak të pandemisë COVID-19. BE-ja është partneri më i rëndësishëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe videokonferenca do të nënvizojë rëndësinë e marrëdhënieve unike BE-Ballkani Perëndimor. Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë të bashkuar në luftën kundër COVID-19. Samiti do të ofrojë një mundësi tjetër për të nxjerrë në pah solidaritetin dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë në këto kohë krize.

Partnerët në rajon kanë kontribuar për të ndihmuar shtetet anëtare të BE-së dhe Bashkimi Evropian vendosi më 29 prill të ofrojë së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve një paketë me vlerë mbi 3.3 miliardë euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor për të përballuar krizën e koronavirusit. Kjo paketë synon të mbështesë masat shëndetësore urgjente si dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike prej vështirësive të shkatuara si rezultat i pandemisë COVID-19.

Takimin do ta kryesojë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai do të përfaqësojë BE-në së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në samit do të marrin pjesë krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së, udhëheqësit e gjashtë vendet partnere në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova.

Ndërkohë do të jenë të pranishëm edhe Andrej Plenković, kryeministri i Kroacisë, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, David Sassoli, Presidenti i Parlamentit Evropian, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të Bankës Botërore, Bankës Evropiane e Investimeve dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.