Spanja ka filluar lehtësimin e masave kufizuese nga Covid-19 për të shkuar drejt normalitetit. Njerëzit kanë dalë, për të shëtitur, vrapuar dhe për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme, shkruan BBC. Spanja është ndër vendet më të prekura me Covid-19 dhe deri më tani në vend janë shënuar 24,824 viktima dhe janë regjistruar 242,988 të infektuar.

Spanja vendosi masat e izolimit në muajin mars pas rritjes së numrit të vdekjeve dhe rasteve me koronavirus. Njerëzit lejoheshin që të dilnin nga shtëpia vetëm për të blerë ushqime, ilaçe, dhe për të shkuar në punë nëse puna nga shtëpia nuk ishte e mundur. Deri në javën e kaluar Spanja ishte i vetmi vend në Evropë ku fëmijët nuk mund të dilnin nga shtëpia. Sidoqoftë, ushtrimi i përditshëm është akoma subjekt i orareve për seksione të ndryshme të popullatës për të shmangur turmat. Trajnimi duhet të kryhet afër shtëpisë duke zbatuar rregullat e distancimit social.