Me 10.633 raste të reja me të infektuar, Rusia ka tejkaluar Francën dhe tashmë bëhet vendi i gjashtë në botë me numrin më të lartë të të infektuar. Për ditën e pestë me radhë, numri i të infektuarve ka shkuar në një total prej 134,687.Megjithatë numri i viktimave nuk është dhe aq i lartë sa në vendet si Italia, Franca, Spanja apo Amerika. 58 viktima raportohen në 24 orët e fundit, duke çuar numrin në total në 1.626.

Rusia po konkurron me Amerikën për numër testimesh. Më shumë se 4.1 milionë teste koronavirusi janë bërë deri më tani, një strategji që po përdor qeveria ruse për të parë shkallën e të infektuarve në vend dhe për të ulur numrin e viktimave duke i zbuluar rastet para se ato të përkeqësohen. Tre zyrtarë të lartë rusë u shtruan në spital këtë javë pasi rezultuan të infektuar, përfshirë Kryeministrin Mikhail Mishustin.

Më 2 maj, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Teknologjisë në Singaport (SUTD) publikuan një model të bazuar në matematikë, sipas të cilit 99% e rasteve në Rusi do të zbulohen deri më 3 qershor dhe epidemia atje mund të përfundojë në mes të gushtit.