ATSH/ – Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, deklaroi sot se i përmbahet fort një shtypi të pavarur, pluralist dhe të lirë.

”Me rekomandimin e UNESCO-s, Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1993 shpalli 3 majin si Ditën Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit.

Ky rekomandim, që është i zbatueshëm edhe sot, u bë për t’u kujtuar qeverive që të respektojnë lirinë e shtypit dhe gjithashtu për t’u kujtuar profesionistëve të medias që të reflektojnë mbi etikën dhe parimet e tyre profesionale.

Në një peizazh mediatik gjithnjë e më të ndërlikuar dhe në kontekstin e fushatave të zgjeruara të dezinformimit, që dalëngadalë po gërryejnë themelet e besimit të publikut te media, ne konsiderojmë se parimet të cilat qëndronin në bazë të së ashtuquajturës Deklarata e Windhoek, janë më të rëndësishme se kurrë më parë që të përkrahen, në mënyrë që media të jetë në gjendje të ruajë rolin e saj si “roje e demokracisë”, por edhe të sigurojë evolucionin e vet drejt së ardhmes.

Kjo është arsyeja pse EANA i qëndron kësaj dhe promovon një shtyp të pavarur, pluralist dhe të lirë si një bllok të qëndrueshëm për demokracitë. Ne gjithashtu theksojmë rëndësinë që media të jetë e lirë nga çdo lloj presioni, qoftë ai politik apo ekonomik.

Ne përshëndesim të gjithë gazetarët e zellshëm që po bëjnë punën e tyre edhe në rrethanat më të vështira, të nxitur nga kërkimi i vazhdueshëm i së vërtetës”, shkruhet në deklaratën e EANA-s me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

Kjo deklaratë është nënshkruar në emër të bordit të EANA-s, ku bëjnë pjesë presidenti i EANA-s, Peter Kropsch, drejtor ekzekutiv i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, sekretari i përgjithshëm, Alexandru Ion Giboi dhe anëtarët Armela Krasniqi, drejtoreshë e përgjithshme e ATSH-së, Jiri Majstr, drejtori i përgjithshëm i agjencisë çeke të lajmeve, CTK dhe Clive Marshall, drejtor i përgjithshëm i agjencisë britanike të lajmeve, Press Assotiation.