Suedia ka bërë të ditur se pavarësisht se mori masa të lehta për të kontrolluar koronavirusin, vetëm 7.3 përqind e banorëve në Stokholm ka zhvilluar antitrupat e nevojshëm për të luftuar sëmundjen.
Shifra, që autoriteti suedez i shëndetit publik konfirmoi për CNN është shumë e ngjashme me atë në vende të tjera dhe shumë poshtë 70-90 përqindëshit të nevojshëm për të krijuar imunitetin e tufës në një popullatë. Kjo vjen pasi vendi ndoqi një strategji shumë të ndryshme për të ndalur përhapjen e virusit, krahasuar me vende të tjera, duke vendosur vetëm kufizime shumë të pakëta në jetën e përditshme. Kryeepidemiologu Anders Tegnell tha se numri ishte pak më i ulët nga sa pritej por jo shumë negativ.
“Ai është në proporcion me modelet që ne kemi”, tha ai.
Studimi i kryer nga agjencia suedeze e shëndetit publik synon të përcaktojë imunitetin e mundshëm të tufës në një popullatë, bazuar në 1118 teste të kryera në një javë. Agjencia synon të kryejë të njëjtin numër testesh cdo shtatë ditë përgjatë një periudhe tetë javore. Rezultatet nga rajonet e tjera të vendit do të publikohen më vonë. Suedia ka ndjekur një strategji të ndryshme edhe nga vednet fqinje nordike gjatë pandemisë. Ajo zgjodhi të evitonte izolimin dhe mbajti pjesën më të madhe të shkollave, restoranteve, salloneve dhe bareve të hapura.
Sidoqoftë, i kërkoi njerëzve të mos bënin udhëtime të gjata duke vendosur theksin tek përgjegjësia personale. Strategjia është kritikuar nga kërkuesit suedezë që thanë se përpjekja për të krijuar imunitetin e tufës kishte mbështetje të ulët, por autoritetet mohuan se arritja e tij ishte qëllimi i tyre. Imuniteti i tufës arrihet kur shumica e një popullate, 70-90 përqind, bëhet imune ndaj sëmundjes, përmes infektimit e shërimit apo përmes vaksinimit. Kur kjo ndodh, sëmundja ka më pak gjasë të përhapet tek njerëzit që nuk janë imunë sepse nuk ka shpërndarës të mjaftueshëm të virusit. Asnjë komunitet nuk e ka arritur ende këtë dhe vaksina nuk është gjetur ende. Suedia ka aktualisht 32 172 raste dhe 3871 viktima sipas shifrave të universitetit john hopkins.