Gjatë zhvillimeve të ditës së sotme në Kuvend, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në një seancë pyetje-përgjigje të kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, sqaroi sërish për publikun, ndryshimin ligjor përmes një shtese në ligjin e arsimit parauniversitar që u garanton trajtim të barabartë financiar 6,761 punonjësve arsimorë të punësuar përpara sistemit të Bolonjës.
“Çështjet që sapo u ngritën, janë zgjidhur që në fillim të muajit mars, ku me votëbesimin e kësaj salle, miratuam ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhej pikërisht me një padrejtësi do të thoja të krijuar ndër vite në trajtimin financiar të një kategorie mësuesish.
Bëhet fjalë për ata që janë punësuar përpara datës 1 mars 2017, me kohë të plotë dhe pa afat, dhe që zotërojnë diploma të cilat, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit, nuk ekuivalentoheshin me 8 semestra sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Dua të siguroj se përmes ndryshimit ligjor, janë 6,761 punonjës arsimorë që përfitojnë trajtim të barabartë në raport me kolegët e tyre, duke i dhënë fund një hendeku të padrejtë në sistemin e pagave.
Dhe për ta vendosur në kontekst: ky hendek u bë më i dukshëm pas rritjes historike të pagave që ndërmorëm si qeveri. Në korrik 2024, për herë të parë, paga mesatare e një mësuesi arriti në rreth 950 euro”, tha ministrja Kumbaro.
Gjithashtu gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimit sqaroi angazhimin e ministrisë për ta adresuar këtë çështje menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
“Që nga dita e parë, Ministria e Arsimit ka qenë e angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje. Por ndërkohë, ajo u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup interesi, duke sjellë një bllokim të përkohshëm deri në vendimmarrjen e kësaj gjykate.










