Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkruan sot një status në Facebook në të cilin shpreh shqetësimin për situatën e pyjeve.
“Ndërsa lufta me virusin e padukshëm COVID-19 po përparon dhe do fitohet shumë shpejt, një betejë të gjatë e të vështirë kemi me një armik të dukshëm, procesionarien, që prej kohësh po helmon, degradon dhe po i shkatërron pishat tona të jashtëzakonshme, jo vetëm në Kolonjë e Qarkun e Korçës, por anë e mbanë vendit.
Vetëm duke i kushtuar pa vonesë vëmendjen e duhur kësaj beteje do mund të shpëtojmë këtë pasuri të madhe natyrore të popullit dhe të vendit tonë” shkruan Presidenti.
Termi përmbyllës “pasuri të madhe natyrore të popullit dhe të vendit tonë” stonon keq me paragrafët pararendës që në shëprfaqin një president dashamirës të mjedisit.
Stonon sepse në këtë vend, falë edhe politikanëve si Ilir Meta, nuk ka më pasuri të popullit. As të vendit. Ka pasuri që janë personalizuar, grabitur, vjedhur, zaptuar duke e bërë atë që në fillim të kohërave ka qenë e përbashkëta, të shndërrohet në çiflig të disave.
Kush vallë mendon se mali i Tomorit është pasuri e populiit, pyjet e Librazhdit të popullit janë vallë, po bregdeti, ai në Jug apo edhe ky në Durrës ku po hidhen në erë njerëz dhe makina për ca metra rërë.
Është e qartë se presidenti flet në keqbesim, pasi ai e di shumë mirë se populli, mileti a çfarëdo emrintë vësh për masën, është i zhveshur nga e drejta reale e pronës në këtë vend. Ligje, kompensime, kthime, investime strategjike, një VKM aty, një urdhëresë atje, rishikime vit pas vit të hartave, shpikje juridike, vendime gjykatash, 20 vjet proces.
Kush e ka pronën të sigurtë këtu veç njerëzve si z. Meta? Askush. Ndaj pse të mos tallet presidenti?