Nga Endri Kajsiu/ Është fakt se sebebi i çdo krize politike që nga 22 Korriku i 2016-ës (kur u votuan më 140 vota ndryshimet kushtetuese), ka qenë reforma në drejtësi dhe tentativat për të ndërhyrë në të. PD dhe LSI të cilat në 21 korrik 2016 e votuan reformën nën presionin e madh amerikan e europian, nuk kanë ndaluar në asnjë moment sulmin ndaj reformës, duke përdorur lloj e soj stërkëmbëshash. Por, sot që flasim, njeriu që i është ‘qepur’ më së keqi reformës në drejtësi, është Ilir Meta. Fill pasi ambasadorja e SHBA e fshikulloi Metën dhe planin e tij për ndërhyrje në reformë, ai ka vazhduar sulmet ndaj saj.
Nuk ka asgjë për tu habitur që Ilir Meta sulmon amabsadorët, siç e bën vazhdimisht edhe partia e tij dhe aleatët e saj. Por, ajo që i çalon Ilir Metës në argumentat e tij kur sulmon ambasadorët, është fakti se ai i ka sulmuar që të gjithë, ata që ishin dhe këta që kanë ardhur rishtaz.
Janë disa fakte që tregojnë se problemi nuk është tek ambasadorët, por tek Ilir Meta dhe tentativa e tij për të zhbërë reformën në drejtësi. Të gjithë e kemi dëgjuar Ilir Metën dhe partinë e tij kur sulmonte ambasadorin e SHBA, Donald Lu, si njeri që nuk fliste në emër të SHBA, por në emër të tij e të Soros-it. E njëjta gjë thuhej asokohe edhe për ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Sulme sulme sulme, me argumentin se ambasadorët e SHBA e BE nuk flisnin në frymën e asaj që përfaqësonin, por si ju thoshte interesi i tyre personal dhe se ishin të blerë. Por nuk ndalon me kaq. Edhe ndaj Leyla Moses-Ones e ngarkuar me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë pasi ambasadorit Lu i mbaroi misioni, u sulmua po aq dhunshëm nga Meta&co, vetëm pse ajo në emër të SHBA shtynte përpara reformën në drejtësi.
Pasi ikën të gjithë këta ambasadorë të sulmuar personalisht si njerëz që nuk përfaqësonin shtetet e tyre, por interesat e tyre, pas fitores së Trump në SHBA dhe ikjes së Romana Vlahutin si ambasadore e BE, opozita dhe Ilir Meta u shfaqën të lumtur a thua se kishin fituar ata vetë zgjedhjet. Por kjo lumturi zgjati pak, pasi sapo ambasadori i BE Luigi Soreca dhe ajo e SHBA, Yuri Kim morën detyrën (jo në të njëjtën kohë), vazhduan të njëjtën linjë si paraardhësit e tyre. Kjo konfirmonte se në fakt Lu dhe Vlahutin, ndryshe nga sa thoshte Meta&co, kishin mbajtur dhe transmetuar gjithmonë qëndrimin e SHBA-BE dhe asnjëherë mendimin e tyre personal. Sot lufta vazhdon, më e fortë se kurrë mes Ilir Metës dhe SHBA-ve që nuk pranojnë planin e tij që zhbën reformën. Dhe qëndrimi është natyrisht i SHBA e jo e Yuri Kim personalisht, siç ka qenë gjithmonë.
Thënë të gjitha këto, A mund të japë një shpjegim sot Ilir Meta, se si ka mundësi që të gjithë ambasadorët, si ata që ikin dhe ata që vijnë, qenkan gjithmonë gabim? Si ka mundësi që Ilir Meta ka përherë të drejtë dhe ata që flasin në emër të SHBA-BE, janë gjithmonë të shitur e të blerë? Përgjigjet këtyre pyetjeve janë brenda. I di secili shqiptar e ky është problemi i madh i Ilir Metës, i cili i ka të gjithë kundër.