Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë inspektimit të impiantit të filtrimit të ujit në Paskuqan në Tiranës njoftoi se ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve të kryeqytetit është duke përfunduar dy projekte të cilat do të sigurojnë ujë të pijshëm orë në ditë për pjesën më të madhe të kryeqytetit
“Është një ditë që do të hyjë në historinë e Ujësjellësit të Tiranës, i cili edhe pas 100 vitesh kryeqytet ka të njëjtin tubacion, filtrim dhe rrjet të vjetër. Jemi në prag të hapjes së dy projekteve madhore të qytetit: I pari, tubacioni i ri që dyfishon prurjet në Bovillë, ku filtrohet uji. Kjo nuk ka ndodhur që nga themelimi i ujësjellësit dhe Tirana e viteve të pas-luftës. Pra, më në fund dyfishohet burimi që sjell ujë në Tiranë. Falenderoj shumë Kryeministrin, ministren Balluku, që u bënë partnerët tanë për ta ndarë këtë kosto; pra, ne të bënim impiantin e filtrimit këtu ku jemi, ata të bënin tubacionin që dyfishon ujin në Tiranë”, tha Veliaj.
Ndërkohë të gjithë qytetarët e Tiranës do të njoftohen një javë përpara se të hyjë në punë impianti i ri i filtrimit të ujit, në mënyrë që të pastrojnë të gjithë depozitat çka do të bëjë që të kenë ujë të pijshëm nga rubineti.
“E kemi zgjeruar rrjetin me 30%. Sapo të lidhen tubacionet, do të bëjmë një muaj testime, për t’u siguruar që arrin të filtrohet i gjithë uji shtesë që vjen këtu. Ndërkohë plani është për ta shtuar kapacitetin e impiantit edhe 50% të tjera. Pra, siç u dyfishua prurja e ujit, të dyfishohet edhe kapaciteti filtrues. Jemi në rrugë të mbarë! Shumica dërrmuese e qytetarëve do ta ndjejnë premtimin për 24 orë ujë që tani, jo në 2024. Në 2024 premtimi qëndron për shtëpitë e ndërtuara në zonat e largëta informale”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku zbuloi edhe një lajm të mirë për banorët e Paskuqanit që banorët e zonës, por edhe nxënësit e shkollave parauniversitare mund të shfrytëzojnë hapësirën e gjelbër për të kaluar orë çlodhëse pranë impiantit të filtrimit.