Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, i druhet një vale të dytë të Covid-19. Në një intervistë në Skype në studion e lajmeve të TemA TV, Kalo tha se dalja nga izolimi krijon kushtet për një të tillë, nëse nuk respektohen masat e rekomanduara për fazën 2.

“I trembem shtimit të numrit, prandaj bëj shpesh apele. Mbyllja brenda dy muajve dhe kontaktet e pakta, vetëm me njerëz të familjes, por jo me mjedisin e jashtëm, janë faktorë që ndikojnë nëse nuk zbatojmë masat e distancimit, higjienës, ushqimit, rehidrimit”, tha Kalo.

Kalimi në fazën e dytë do të rrisë mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve. “Frika është që personat që nuk kanë imunitet të përplasen me të infektuar dhe të ketë një shtim të rasteve. Kësaj i druhen vendet e tjera, madje edhe vetë Kina”, tha Kalo.