Tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, do të ketë statusin e mbrojtjes së veçantë. Tulipani rritet në zonën e Kukësit, ndaj bashkia dhe ekspertët e mjedisit kanë ndërmarrë nismën për ta mbrojtur. Arben Palushi i ekspert i mjedisit shprehet se ” mbrojtja një e bime kryesore si “Tulipa albanica” mbron habitatin. Ideja që ne mbrojmë habitate është më e forte se ideja e mbrojtjes së një specie të caktuar, dmth shpallet habitati si zonë në mbrojtje të natyrës direkte”.
Besnik Hallaçi, drejtor i AKZM Kukës shprehet se “përveç rëndësisë shkencore është edhe bazë e mirë gjenetike edhe për të vazhduar me kultivimin pasi dihet se tregtia e tulipanëve është edhe joshje në gjithë botën, por shohim edhe mundësinë e rritjes së turizmit”. Nënkryetari i Bashkisë Kukës Vexhi Halili u shpreh për angazhimin e këtij institucioni në mbrojtjen e vlerave të tilla si një mundësi për turizmin elitar. “Kjo bimë unikale do të rrisë interesin dhe do të stimulojë turizmin elitar” tha ai. Ndërsa Endri Haxhiraj drejtues i Institutit të Politikave Mjedisore bëri të ditur se Këshilli Bashkiak i Kukësit ka marrë vendimin për mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar.
“Ne do ta monitorojmë situatën në terren dhe do të lobojmë në ministrinë e mjedisit që mbrojtja të kalojë në nivel kombëtar” tha Endri Haxhiraj. Tulipani i Kukësit është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi. Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti.