Komisionari i Major League Soccer (MLS), ligës së nivelit të parë të futbollit në SHBA, thotë se ai është tani më optimist për rinisjen e sezonit, por Don Garber e pranoi se vetëm pak javë më parë kishin qenë shumë më pesimistë.

Si të gjitha ligat e tjera në botë, edhe MLS u suspendua përkohësisht, pa datë të saktë kthimi, shkaku i pandemisë së koronavirusit, transmeton Gazeta Express.

Liga amerikane sapo i kishte zhvilluar dy xhirot e para të sezonit të ri, para se të ishte vendosur në mars që të gjitha ndeshjet të pezullohen në tentim për ta parandaluar përhapjen edhe më masive të virusit Covid-19.

Në javët që nga atëherë, Garber ka theksuar se liga amerikane synon të kthehet gjatë këtij viti, përkundër që ende nuk është vendosur për formatin e këtij kthimi. Ai tani e ka ritheksuar synimin e tij për ta rinisur sezonin.

“Ne jemi më optimist tani për planin se si do kthehet futbolli. Mendoj se para një muaji ishim shumë pesimistë”, ka thënë Garber.

“Mendoj se vendi ynë ka bërë punë të mirë për ta menaxhuar situatën, që ishte edhe synimi. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar për t’i ndjekur udhëzimet sepse të gjithë duhet të fokusohemi te menaxhimi i situatës”.

“Kështu që do të thosha që jemi optimist në një nivel të përgjegjshëm”.