UEFA: Datat e caktuara nga ne s’janë përfundimtare
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka qartësuar që datat e 20 korrikut dhe 3 gushtit nuk janë datat zyrtare në të cilat do të duhet të përfundohen sezonet në ligat vendore, por janë dhënë si rekomandime.
Kreu i organit qeverisës të futbollit evropiane e shkroi një letër për ta konfirmuar që gjatë një takimi me 55 Federatat anëtare të UEFA-s, ishin caktuar ato data si rekomandime jozyrtare, transmeton Gazeta Express.
20 korriku ishte përmendur si data kur duhet të përfundohen ligat në vendet të cilat rangohen nga pozita e 16-të në pozitën e 55-të në ranglistën e UEFA-s, ku bën pjesë edhe Federata e Futbollit e Kosovës.
Në anën tjetër, 3 gushti ishte përmendur si data kur duhet të përfundohen sezonet në ligat e mëdha të Evropës, të radhitura nga pozita e parë në atë të 15-të në ranglistën e UEFA-s.
“Datat e 20 korrikut dhe 3 gushtit ishin përshkruar në një takim me sekretarët dhe presidentët e 55 Federatave anëtare më 21 prill, si dhe në takimet e UEFA-s, Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe grupit punues të Unionit të Ligave Evropiane”, thuhet në letrën e Ceferin, të publikuar nga Le Parisien.
“Megjithatë, gjatë këtyre takimeve, ne gjithmonë e kemi përmendur se këto datë janë vetëm rekomandime, të formuluara përkohësisht dhe jozyrtare”.