Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un nuk i është nënshtruar asnjë operacioni apo procedure tjetër mjekësore, deklaruan zyrtarë të Koresë së Jugut, mes spekulimeve për shëndetin e tij që kanë vazhduar edhe pasi udhëheqësi i vendit të izoluar komunist u rishfaq në publik këto ditët e fundit.
Koreja e Veriut tha të shtunën se Kim ka marrë pjesë në përurimin e një fabrike të përpunimit të mbeturinave pranë Penianit. Kjo ishte dalja e tij e parë publike në gati 20 ditë. Edhe pse regjimi koreano-verior në këtë mënyrë kërkoi të fashiste thashethemet se ai është I sëmurë rëndë apo edhe mund të ketë vdekur, spekulimet nuk reshtën, e disa thonin se Kim po ecte me vështirësi në fabrikë.
Një zyrtar i lartë koreano-jugor megjithatë u shpreh se lideri I Koresë së Veriut nuk ka bërë asnjë operacion, ndërsa Seuli ka vazhduar të insistojë se në vendin fqinj nuk ka pasur ndonjë aktivitet të pazakontë.
Kjo nuk është hera e parë që Kim Jong Un zhduket për një periudhë të gjatë. Në vitin 2014, kur u rishfaq pas një mungese gjashtë javore, ai ecte me shkop. 36 vjecari është brezi I tretë nga familja e tij që e qeveris Korenë e Veriut me një grusht të hekurt.