Bizneset në Vlorë po përballen me vështirësi dhe kërkojnë lehtësira për të punuar gjatë verës. Ata shprehen se turistët e parë vendas apo të huaj mund të mbërrijnë gjatë muajve korrik dhe gusht, ndërsa premtojnë se nuk do të rrisin çmimet.
Vlora e ka hapur simbolikisht sezonin, por ende turistë nuk ka. Ndërsa operatorët turistike janë duke u përballur me vështirësi të shumta.Ervin Sota ka një lokal buzë Lungomares. Ai shprehet se bashkë me 35 subjekte të tjera që operojnë në këtë zonë kanë firmosur një peticion ku kërkojnë mbështetje, në të kundërt nuk do t’i hapin baret e tyre.Ndërsa Petrit Gabaj prej 9 vitesh administron një plazh privat dhe kjo është e hera e parë që përballet me mungesën e pushuesve në muajin Maj. Por megjithatë ai mbetet optimist se sezoni do të nisë, madje premton dhe ulje çmimesh.
Ndërsa Luxhino Isufaj, pronari i një prej hoteleve në Vlorë shprehet se nuk ka prenotime deri më tani, por shpreson se në korrik dhe në gusht hoteli i tij do të jete plot me pushues vendas dhe ata që vijnë nga Kosova.Mikel Zinxhiria që ka një agjenci turistike thotë se nëse nuk hapen kufijtë dhe nuk ndryshojmë rregullat për covid, turizmi do të jetë në vështirësi.