Për drejtuesen ekzekutive të “Zërin e Amerikës”, e cila mori vendimin e rëndësishëm, një intervistë ekskluzive tejet e jashtëzakonshëm dhe e rëndësishëm ishte një rast që nuk duhej humbur.
Vetëm 10 ditë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ku si pasojë u vranë 2.977 amerikanë dhe u plagosën shumë të tjerë, aleati dhe mbrojtësi më i ngushtë i Osama bin Ladenit në Afganistan, Mullah Omar, i ofroi shërbimit në gjuhën Pashtun të “Zërit të Amerikës” një intervistë ekskluzive.
Myrna Whitworth, në atë kohë drejtoreshë në detyrë e “Zërit të Amerikës, caktoi dy gazetarë që të intervistonin me telefon udhëheqësin misterioz taleban, i cili e kishte lejuar Bin Ladenit, ideatorin e sulmit të 11 shtatorit, që të siguronte strehim në Afganistan.
Zyrtarët e administratës Bush mësuan shumë shpejt se “Zëri i Amerikës” po përgatiste një material. Zonja Whitworth mori një telefonatë nga Departamenti i Shtetit gjatë së cilës iu tha se do të ishte “vetëvrasje politike” nëse ajo vendoste ta transmetonte intervistën me Mullah Omar-in.
Ndërsa administrata e zoti Bush “respektonte të drejtën e agjencisë për të raportuar lajmet në mënyrë objektive, zyrtarët nuk donin që Zëri i Amerikës të bënte gjëra “që ne mendonim se do t’i krijonin hapësirë armikut” tha në një intervistë të fundit Richard Boucher, i cili në atë kohë ishte zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Zëri i Amerikës”, transmetuesi televiziv global që financohet nga qeveria, ofron shërbim në më shumë se 40 gjuhë për 280 milionë njerëz në javë. Agjencia ka një histori të arkivuar që daton nga Lufta e Dytë Botërore dhe një mandat nga Kongresi për të raportuar lajme në mënyrë të paanshme e gjithëpërfshirëse. Por tensionet mes Shtëpisë së Bardhë dhe “Zërit të Amerikës” kanë qenë normë për dekada, kryesisht për shkak të statusit unik si një agjenci lajmesh gjysmë epavarur dhe herë pas here agresive, që vepron brenda suazës së një burokracie masive të qeverisë federale.
Muajin e kaluar, presidenti Donald Trump iu bashkua disa prej pararendësve të tij, të cilët kanë pasur probleme me mbulimin që u ka bërë lajmeve “Zëri i Amerikës”, por me një intensitet dhe mprehtësi të pashembullt.
“Nëse keni dëgjuar atë që dalin nga “Zëri i Amerikës” është e pështirë. Ato çka ata thonë për vendin tonë janë të neveritshme“, tha zoti Trump gjatë një konference për shtyp lidhur me koronavirusit në Kopshtin e Trëndafilit në 15 Prill. Ankesa e zoti Trump në thelb ishte e dyfishtë: së pari, se “Zëri i Amerikës” në raportimet e veta kishte përdorur të dhëna të dyshimta të qeverisë kineze mbi infeksionet dhe vdekjet në Kinë nga koronavirusi, një akuzë e cila u kundërshtua fort nga kjo agjenci lajmesh. Së dyti, presidenti ishte i irrituar që nuk kishte mundur të vendoste prej më shumë se dy vitesh kreun e ri të organizatës mëmë të “Zërit të Amerikës”, Agjencinë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale, për shkak të pengesave të krijuara nga demokratët për miratimin e tij në Senat.
Zoti Trump është ankuar edhe më parë se i mungon kontrolli ndaj një medie shtetërore që pasqyron vlerat e tij dhe ato të mbështetësve të tij. Në nëntorin e vitit të kaluar, zoti Trump sugjeroi që SHBA-ja të krijojë një rrjet mediatik shtetëror lajmesh ndërkombëtare për të kundërshtuar ato që ai e quan mbulime “të padrejta” e “të rreme” nga CNN-i si dhe për t’i treguar botës se sa “i jashtëzakonshëm” është ky vend. Sidoqoftë, siç e ilustron intervista me Mulla Omar-in e shembuj të tjerë, zoti Trump nuk është presidenti i parë që kritikon mbulimin që u bën lajmeve “Zëri i Amerikës”. Kjo për shkak se ndërsa organizata mediatike zakonisht mbikëqyret nga të emëruarit politikë të Shtëpisë së Bardhë, përmbajtja e lajmeve të gazetarëve të saj të karrierës, kërkohet me ligj që të jetë e paanshme.
Evolucioni editorial i transmetuesit qeveritar
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit refuzuan një kërkesë të “Zërit të Amerikës” për një shtjellim të kritikave televizive të presidentit ose lidhur me akuza të veçanta të detajuara në një buletin informativ të Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij muaji, që akuzonte “Zërin e Amerikës” për amplifikimin e propagandës kineze në përdorimin e të dhënave të saj mbi pandeminë e koronavirusit.
Drejtoresha e “Zërit të Amerikës” Amanda Bennett hodhi poshtë akuzën dhe tha se agjencia “bën përpjekje për raportime objektive të bazuara në fakte që nuk përforcojnë mesazhin e askujt”. Në të vërtetë “Zëri i Amerikës” ka përgënjeshtruar (hedhur poshtë me fakte) keqinformimin nga ana e qeverisë kineze rreth 20 herë, sipas Komitetit të Reporterëve, një grupim që mbështet lirinë e medias.
Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë e qasjes editoriale nuk ka qenë gjithmonë politikë e “Zërit të Amerikës”. Pasi agjencia u krijua në vitit 1942 për të luftuar propagandën naziste me lajme objektive, në dekadën e para të raportimit të “Zërit të Amerikës” i nënshtrohej aprovimit nga mëkëmbësit e qeverisë. Gjatë krizës së raketave kubane të epokës Kennedy të vitit 1962, “Zëri i Amerikës” në thelb “funksiononte nën mbikëqyrjen e qeverisë”, thotë Nicholas Cull, profesor i diplomacisë publike në shkollën për Komunikim dhe Gazetari të universitetit të Kalifornisë Jugore “Annenberg” dhe autor i librit “Lufta e Ftohtë dhe Agjencia e Informacionit e Shteteve të Bashkuara”.
“Ekzistonte një nëpunës administrativ i dërguar nga Agjensia mbiqëqyerse amerikane e Informacionit tek Zëri i Amerikës (USIA)”, thotë zoti Cull. “Ai duhej të miratonte çdo tekst”.
Kjo qasje u zbeh gjatë skandalit të “Watergate” që çoi në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon në 1974. Zoti Cull tha se gazetarët e “Zërit të Amerikës”, të cilët këmbëngulën për të dhënë një pamje të plotë të hetimit rreth pretendimeve për akte të paligjshme nga ana e presidentit, u kundërshtuan nga zyrtarë e USIA-së, të cilët donin një raportim më pozitiv të ngjarjes.
Gazetarët donin ta shndërronin “Watergate” në një “mësim qytetarie që shfaqej për publikun, duke treguar se forca e Amerikës nuk qëndron tek fakti se presidentët e saj nuk gabojnë kurrë, por në aftësinë e Kongresit për të korrigjuar gabimin përmes një procesi të ligjshëm”, tha zoti Cull. Në fund, u arrit një kompromis që sa herë që shfaqej një lajm negativ për presidentin, ai duhej pasuar nga një lajm pozitiv.
“Kjo gjë çoi tek disa lloj transmetimesh të çuditshme”, tha zoti Cull.
“Ata thoshin në lajme sot se Presidenti është përmendur si një bashkë-komplotist por ndaj tij nuk janë ngritur akuza penale lidhur me Watergate … dhe pastaj se zonja Nixon hapi një shkollë të re për fëmijët në Washington DC”.
Një agjenci lajmesh që ndalohet të dëshmojë anësi
Deri në vitin 1976, Kongresi dhe drejtuesit e “Zërit të Amerikës” përcaktuan se agjencia kishte nevojë për një mandat më të qartë editorial për të siguruar që ajo të ruante besueshmëri tek audienca e huaj. Kongresi hartoi statusin e agjencisë që thotë se “Zëri i Amerikës” duhet të botojë lajme të sakta, prodhojë përmbajtje që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë amerikane dhe të sigurojë sqarim dhe shtjellim të qartë të politikave të SHBA.
Praktikat editoriale të agjencisë u përcaktuan më tej në legjislacion e viteve 1994 dhe 2016, që specifikonte masa për të mbrojtur gazetarët nga ndikimi politik dhe i bënte thirrje agjencisë që të mbështesë “standardet më të larta profesionale të gazetarisë televizive e radiofoknike”, ndërsa qëndronte në përputhje me “objektivat e gjerë të politikës së jashtme të Shtetet e Bashkuara”.
Richard Stengel, ish-redaktor i revistës “Time” dhe ish-Nënsekretar i Shtetit për Diplomacinë Publike në administratën Obama, tha se kjo pavarësi është ajo që e dallon “Zërit të Amerikës” nga disa prej konkurrentëve të saj.
“Zëri i Amerikës” nuk është transmetuesi shtetëror i Shteteve të Bashkuara, ashtu siç transmetojnë televizionet shtetërore në vendet autoritare që pasqyrojnë qëllimet e politikës së jashtme ose parimet e atyre vendeve. Nuk është ajo që bën Koreja e Veriut, ose Kina, apo Kuba a vende si ato. “Zëri i Amerikës” është një transmetues i pavarur dhe një nga arsyet pse kjo agjenci ndiqet dhe admirohet nga miliona njerëz në mbarë botën”, thotë zoti Stengel.
Transmetuesi amerikan, drejtuesit miratohen nga Shtëpia e Bardhë
Ndërsa gazetarëve të “Zërit të Amerikës” u kërkohet të prodhojnë lajme objektive, agjensia është nën autoritetin e degës ekzekutive, e cila ka fuqinë të propozojë shefin Ekzekutiv për agjencinë mëmë të “Zërit të Amerikës”, Agjencinë amerikane për Median Globale (USAGM).
Kjo e fundit mbikëqyr pesë rrjete mediatike të shërbimeve publike të financuara nga qeveria federale që pasqyrojnë lajme në vendet ku liria e shtypit është e kufizuar. Shefi Ekzekutiv i USAGM-së, së bashku me një bord dypalësh drejtuesish mediash dhe ekspertë të çështjeve ndërkombëtare, caktojnë drejtuesit e rrjeteve mediatike, përfshirë “Zërin e Amerikës”. Zoti Trump propozoi Michael Pack, një producent konservator filmash dokumentar dhe drejtues ekzekutiv mediash, si drejtuesin ekzekutiv të USAGM-së në qershor të 2018-s.
Senatori demokrat Bob Menendez kohët e fundit i dërgoi një letër Shtëpisë së Bardhë ku thuhej se zoti Pack nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjeve të komisionit në lidhje me pretendimet për përfitime nga disa marrëshje të biznesit e tij, mbi deklaratat e taksave mbi të ardhurat e tij në të kaluarën dhe ato që ai i quante “rrethana negative” rreth largimit të tij nga një pozicion i mëparshëm pune.
Një zëdhënëse e zoti Pack i tha “Zërit të Amerikës” se ai kishte refuzuar të komentonte mbi këto çështje, për shkak se procesi i tij i emërimit të tij ishte në vazhdim e sipër. Clifford May, kreu i një trupe ekspertësh konservatorë “Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive”, thotë se kritikat e zotit Trump ndaj “Zërit të Amerikës” janë të justifikuara për shkak të zhgënjimit të tij për miratimin e kandidatit që ai ka propozuar. Zoti May tha se drejtoresha e “Zërit të Amerikës” Amanda Bennett ka mbetur nga administrata e Presidentit Demokratik Barack Obama, që ka dështuar t’i shpjegojë në mënyrën e duhur botës politikat e administratës Trump.
“Këto duhet të shpjegohen nga Zëri i Amerikës, ku tjetër nëse jo atje?”, thotë ai.
Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë opozitë apo kritikë edhe për presidentin. Të gjitha këto mund të bashkëjetojnë në një ekuilibër. “Duhen gazetarë të mirë për ta bërë këtë gjë”, thotë zoti May. “Është e qartë që kjo administratë mendon se kjo punë nuk po bëhet siç duhet nga ata që tani janë në krye”.
Amanda Bennett, një ish-drejtuese ekzekutive e agjencisë së lajmeve “Bloomberg” dhe redaktore e gazetës “Philadelphia Inquirer” u emërua drejtore e “Zërit të Amerikës” në mars 2016 dhe vazhdon të mbikëqyrë agjencinë edhe gjatë administratës Trump.
Gjatë debateve të vitin 2001, në lidhje me intervistën e Mulla Omarit folën hapur më shumë se 100 gazetarë të “Zëri të Amerikës” duke nënshkruar një peticion që i kërkonte agjencisë të rezistonte ndaj presionit. “Zërit të Amerikës” e ndaloi transmetimin e segmenteve nga intervista dhe lëshoi një deklaratë duke mbrojtur pasqyrimin e saj, si përgjigje ndaj kritikëve të agjencisë. “Populli i Afganistanit na ndjek sepse na beson dhe sepse ne tregojmë të gjitha anët e një ngjarjeje”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Boucher, profesor i politikës së jashtme në universitetin Brown, thotë se të dyja palët më vonë “u tërhoqën” nga përplasja. Megjithatë, pas më pak se dy javësh nga transmetimi i intervistës, zonja Whitworth u hoq nga pozicioni i saj si drejtore në detyrë e “Zërit të Amerikës” dhe u zëvendësua nga i emëruari i Shtëpisë së Bardhë Robert R. Reilly. “Presioni nuk u bë i hapur, por u bë e qartë se nuk do të kisha ndonjë rol të mëtejshëm në vendimet editoriale”, tha zonja Whitworth, e cili ishte një gazetare karriere në agjenci dhe jo e emëruar politike. Ajo vendosi të dilte herët në pension.
Një transmetues qeveritar që “lundron” mes tensionit politik
Periudha e politikës përçarëse në Shtetet e Bashkuara, të tilla si ato që lidhen me ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit apo lufta, mund ta vendosin “Zërit të Amerikës” në një pozitë të vështirë, thotë Lata Nott e “Forumit të Lirisë”. Por këto janë kohë sipas saj që një transmetues mediatik ndërton besueshmërinë tek audienca e tij.
“Fakti që organizatat tona mediatike të financuara nga qeveria nuk janë media të drejtuara nga shteti, por të pavarura është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë zonja Nott.
“Është në natyrën e qeverisë të thotë se ne po paguajmë për këtë, ndaj dhe duam të tregohen ngjarjet tona pozitive”, thotë profesori i USC-së zoti Cull. “Por është në natyrën e gazetarëve të kundërshtojnë e të thonë se etika e gazetarisë kërkon që të thuhen të dyja anët e një ngjarjeje dhe për të qenë efektivë ne duhet të jemi të besueshëm”.(VOA)