“Respektoni rregullat e sigurisë, rezervoni online dhe mënjanoni radhët”, apelon Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Gonxhja shprehet se “heqja e masave kufizuese nuk duhet t’i bëjë qytetarë të pakujdesshëm në zbatimin e protokollit të sigurisë, një e mirë si për vete ashtu dhe për ata që ofrojnë shërbimet në sektorin e transportit, por jo vetëm”.
Gonxhja tha se institucioni që ai drejton për të mënjanuar radhët e gjata, ka implementuar shërbimet dhe rezervimet online si dhe zgjatje të orarit të punës.
“Tashmë një problem kryesor është sjellja e qytetarit. Nuk mund të imagjinohet që qindra mijëra qytetarë që vijnë për të marrë shërbime në sportelet tona, të kishin nga një polic në prezencë atje për të mbajtur distancën. Ne i kemi dedikuar një link të veçantë COVID-19 në faqen tonë zyrtare, për t’i kujtuar qytetarët që shërbimet kanë një status të ri, ku duhet që qytetari të paraqitet me doreza, maska dhe duhet të mbajë distancën etj.”,- tha Gonxhja për ATSH.
“Në Tiranë dhe Durrës nuk ka nevojë të vish pa pritur dhe pa kujtuar se të teket. Në Tiranë tashmë kemi edhe zyrat pranë Qendrës së Kolaudimit të Mjeteve (ish-Nsharaku), kemi shumë shërbime online që janë fuqizuar dhe po ashtu mund të rezervohet shërbimi online”,- tha Gonxhja.
“Ka qytetar që nuk duan ose nuk marrin mundimin të informohen dhe shkojnë pa radhë te sportele, duke krijuar radhë dhe konfuzion. Ftojmë qytetarët t’i drejtohen portalit qeveritar e-Albania apo faqes sonë në internet “dpshtrr.gov.al” për të bërë rezervimin e orarit për të mos qenë në radhë një orë apo dy orë, duke krijuar afrimitet fizik me të tjerët dhe duke dëmtuar shërbimin tonë. Nuk përjashtohet mundësia që të bllokohen edhe shërbimet në rast të një rasti infektimi”,- tha Gonxhja.
“Prandaj kërkojmë të zbatohet protokolli me përpikmëri. Të gjitha këto janë për të mirën e qytetarëve edhe personelit. Nëse infektohet personeli, dëmtohet shërbimi. Ka shumë gjëra që mund të bëhen nga shtëpia, ka shumë gjëra që mund të bëhen online. Ka rezervim shërbimesh”,- ritheksoi Gonxhja.
Ai sqaroi se “nga e hëna nisim nga mëngjesi në orën 08:00 deri në 19:00 pa pushim. Kemi kaluar të hënën në këtë orar. Ndërsa nga e marta dhe ditët e tjera të javës do jemi deri në orën 16:00, por nëse qytetari vjen në orën 15:55 sërish do i shërbehet duke qëndruar përtej orarit, por qytetarët që vijnë pas orës 16:00 nuk do të shërbehen”,- tha Gonxhja për ATSH.
“Kjo rihapje nuk është një fitore që ta kthejmë në një marsh pakujdesie, kjo rihapje është një mundësi që ne të kemi një jetë të re me rregullat të reja. Nëse nuk i respektojmë këto rregulla, rrezikohet sërish mbyllja dhe të ardhurat ulen, tarifat rriten dhe jeta vështirësohet. Qytetarët duhet të ruhen të mos sëmuren e të ngarkojnë shëndetësinë, ne duhet të kujdesemi për shërbime cilësore. Jemi në situatë të jashtëzakonshme. Edhe kur të përfundojë periudha e fatkeqësisë natyrore, sërish sjellja jonë duhet të jetë e përgjegjshme”,përfundoi Gonxhja.