Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, njoftoi se projektligji “Për Zhvillimin e Zonave të Biznesit (BID)” të diskutuar dhe të miratuar sot në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, propozon ofrimin e një modeli të suksesshëm duke mundësuar shndërrimin e zonave më parë të pazhvilluara dhe të braktisura, në zona më aktive dhe tërheqëse për qytetet.
Projektligji BID do të shërbejë si katalizator për nxitjen e sipërmarrjes, rigjallërimin e qendrave urbane dhe rurale, zhvillimin ekonomik të zonave me përqendrim të lartë të bizneseve të mesme dhe të vogla, rritjen e qarkullimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, qëndrueshmërinë dhe mirëmbajtjen e investimeve publike në qendrat historike, turistike dhe tregtare të qyteteve dhe fshatrave dhe të një infrastrukture më të mirë komunitare dhe lehtësimin e investimeve me interes të përbashkët në zonat BID.
Denaj shprehet se “efekti ekonomik i organizimeve BID është realitet edhe në Shqipëri, nëpërmjet bashkëpunimit të Qeverisë shqiptare, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe bashkive Shkodër, Korçë, Berat, Tiranë, Krujë, Gjirokastër dhe Vlorë, ku, qeveria dhe pushteti lokal janë përgjigjur me rreth 6 USD investim për çdo 1 USD të angazhuar nga AADF, në zonat BID/TID në Shqipëri”.
Sipas saj, perceptimi i bizneseve në këto zona mbi cilësinë e shërbimeve publike është me mbi 80% në krahasim me periudhën para ndërhyrjeve restauruese.
“Aktivitetet në zonat BID/TID janë 7-fishuar, duke treguar rivitalizimin e qyteteve. Mbështetur në këtë eksperiencë pozitive, ky projektligj është hartuar me mbështetjen e AADF-së”, u shpreh Denaj.