Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 qershor.
Duke prezantuar qëndrimin e koalicionit “Mundemi” të udhëhequr nga LSDM-ja në pushtet, Zaev tha se duhet shfrytëzuar stabilizimi i gjendjes me koronavirusin dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur, të mbahen zgjedhjet për të mos lejuar, siç tha, shkeljen e Kushtetutës.
Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha se nëse zgjedhjet lihen për në vjeshtë ato rrezikojnë të mos mbahet për shkak të paralajmërimeve për paraqitje të valës së re të sëmundjes Covid-19, dhe për shkak të kësaj vendi do të mbetej pa institucione të qëndrueshme, por edhe që nuk do të kenë as bazë kushtetuese, pasi në dhjetor mbushen katër vjet që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit.
“Është mirë të mbahen në kushte të tilla sepse nuk rrezikohet shëndeti i qytetarëve, posaçërisht pasi në vjeshtë pritet valë e re. Kjo do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re, me Kuvend dhe institucione funksionale”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
VMRO DPMNE-ja opozitare konsideron se “shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha andaj edhe për momentin nuk duhet të diskutohet për zgjedhje”. Por, megjithatë kjo parti si afat për mbajtjen e zgjedhjet ka propozuar mesin e korrikut, më kusht nëse normalizohet gjendja me koronavirusin.
Partitë shqiptarë gjithashtu kanë qëndrime të ndryshme. BDI-ja kërkon mbajtjen e tyre sa më parë që të jetë e mundshme ndërsa Aleanca për Shqiptarët, në opozitë, kërkon që zgjedhjet të mbahen pasi të hapen kufijtë në mënyrë që e drejta e votës ti sigurohet edhe diasporës.
Për zgjedhjet do të diskutohet edhe në takimin e liderëve të partive politike, të martën në një takim që pritet të mbahet nën drejtimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Megjithatë, të gjithë liderët politike kanë thënë se do të respektojnë çdo mendim që do të japin ekspertët e mjekësisë, për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
Zgjedhjet ishin paraparë të mbahen më 12 prill por ishin shtyrë për shkak të pandemisë dhe aktualisht vendi drejtohet nga një qeveri teknike në të cilën merr pjesë edhe VMRO DPMNE-ja opozitare.