Pas Holandës, Belgjikës e Francës, Skocia bëhet vendi i katërt në Europë që vendos të mbyllë përfundimisht kampionatin dhe të japë verdiktet në bazë të renditjes së mbetur në fuqi në momentin e ndërprerjes së sezonit.
Kështu titullin kampion në Skoci e ka fituar skuadra e Celtic, e cila kryesonte renditjen në kohën e ndërprerjes, ndërsa Hearts, që mbante vendin e fundit, ka rënë një kategori më poshtë.
Sipas mediave britanike, vendimi është marrë në konsultim dhe marrëveshje me të gjithë klubet e Superligës skoceze, që duke parë situatën e krijuar, janë shprehur në favor të ndërprerjes përfundimtare.
Vlen të theksohet se ky është titulli i 9 kampion radhazi për skuadrën e Celtic, që ka vendosur t’ua dedikojë këtë sukses në tavolinë të gjithë fansave të klubit, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.