Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj po bën thirrje që të respektohet Kushtetuta nga partitë politike.
Ndërkohë, shpreh besimin se Qeveria Hoti, në të cilën mund të jetë pjesë e saj, mund të bëhet shpejt. Haradinaj i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit në verën e vitit 2019, gjatë vizitës në fabrikën e ujit “Dea” në Gjilan, tha se në rast se nuk respektohet Kushtetuta, atëherë do të vështirësohet rruga e vendit.
“Ne duhet të respektojmë Kushtetutën edhe normat kushtetuese ligjore. Përmes këtyre normave bazuar në kushtetutën e vendit kemi qeverinë Kurti. Ajo tash se ka besimin e parlamentit, mund të kemi qeverinë Hoti së shpejti, por një ditë do të kemi edhe zgjedhje. Por nëse nuk respektojmë kushtetutën atëherë vështirësojmë rrugën edhe të Kosovës edhe të partive politike”, tha ai.
Ai tha se shpreson se nuk do të ketë, siç u shpreh ai, “teprime” nga askush, por respektim të Kushtetutës. Të premten gjatë vizitës në fabrikën e Ujit “Dea” ka theksuar se kjo fabrikë tani ka fituar besimin e gjithë qytetarëve të vendit.
“Qëllimi është edhe të shohim, me dit gjendjen. Është vërtetë diçka e gëzueshme kur sheh teknologjinë e avancueshme. Njëkohësisht kur sheh punën që bëhet këtu. Me Mustafën njihemi prej fillimit të punës edhe politike, janë bërë 20 vjet prej atëherë. Sot e shfrytëzova rastin edhe me i shpreh falënderim me një mirënjohje për gjithë angazhimin e tij për të mirën e Gjilanit për të mirën e Kosovës”, theksoi ai.
Ai ka ndarë edhe një mirënjohje për pronarin e kësaj fabrike, Mustafë Shala.
“Faleminderit që keni nderuar me mirënjohje, ju dëshiroj gjithë të mirat dhe respekt”, tha ai.