Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillmit Rural, Bledi Çuçi, u shpreh se “ky vit është një nga vitet më të mirë të bujqësisë shqiptare”. Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së hënës, Çuçi tha se, sektori i bujqësisë nuk është prekur nga pandemia COVID-19. “Në kushtet e situatës të masave mbrojtëse ndaj COVID-19, qeveria vendosi mbylljen e aktiviteteve të biznesit në vendin tonë, por mori vendimin që të mos mbyllej për asnjë ditë, aktiviteti i biznesit bujqësor, duke garantuar paprekshmërinë e zinxhirit ushqimor në të gjithë hallkat e tij nga prodhimi, qarkullimi, (transporti) dhe eksportimi”- tha ministri. Eksportet bujqësore në 5-mujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje në vlerë dhe sasi me 10% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministri vuri në dukje se, “prodhimi bujqësor vendas po ndjek trendin e rritjes dhe standardeve më të mira, ndërsa qendrat e grumbullimit po funksionojnë me kapacitet të plotë”. “Ky është viti më i mirë historik përsa i takon çmimeve të produkteve bujqësore në fermë që do të thotë se fermerët kanë marrë të ardhura të kënaqshme nga shitja e prodhimit në qendrat e grumbullimit”, u shpreh Çuçi. Sipas tij, sot fermerët jo vetëm prodhojnë por edhe po e certifikojnë prodhimin sipas standardeve më të mira. “Produktet bujqësore shqiptare janë më të mirat në tregjet europiane dhe kanë besueshmëri të lartë”- tha ai, duke e bazur këtë në rezultatet e analizave që kryen Instituti i akredituar i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Çuçi u shpreh se, qeveria po ndërmerr instrumente financiarë për nxitjen e kooperimit bujqësor por rastet më të mira, tha ai janë grumbulluesit, të cilët i angazhojnë fermerët të kultivojnë produktin që kërkon tregu sipas standardeve të kërkuara.

Ministri informoi se janë dy skema të financimit në bujqësi që mbështesin fermerin: Skema Kombëtare adreson financim direkt për fermerin mbi aktivitetin që zhvillon dhe IPARD që financon investimet në bujqësi. Gjithashtu tha ai, Qeveria shqiptare në bashkëpunim me BERZH, ka vënë në dispozicion të kreditimit të fermerëve nga bankat dhe fondin e garancisë si instrumenti që shërben si kolateral dhe lehtëson huamarrjen për të gjithë ata që punojnë në sektorin rural.