Duke dhënë lajmin e mirë të daljes nga intubimi të një pacienti 71-vjeçar, mjekët e spitalit infektiv në Tiranë kanë bërë apel për respektimin e masave. Flasin prof. Najada Çomo, prof. Tritan Kalo, prof. Dhimitër Kraja, prof. Arian Harxhi, prof. Pëllumb Pipero, dr. Entela Kolovani, dr. Esmeralda Meta, dr. Nevila Gjermeni.
Mjekët e Shërbimit Infektiv, ku prej fillimit të epidemisë në vendin tonë po trajtohen të prekurit me COVID19, nisur nga rritja e rasteve të shtrimeve në spital në ditët e fundit, u kanë bërë apel qyetarëve që të vijojnë të respektojnë distancimin social dhe masat e higjenës vetjake, në mënyrë që të minimizojnë rrezikun nga COVID19.
Shefja e shërbimit infektiv, prof. Najada Çomo tha se ka një rritje të numrit të të shtruarve gjatë ditëve të fundit, por dha edhe lajmin e mirë që falë punës së stafit, një pacient ka dalë nga intubimi.
“Gjatë 3-4 ditëve të fundit kemi një shtim të numrit të rasteve, pra paraqitja e 10 pacientëve në ditë për shërbim dhe për t’u hospitalizuar është shifër që duhet marrë në konsideratë. Është për t’u vlerësuar që ky shtim i rasteve shoqërohet me raste të rënduara, ku mbizotëron Tirana. Kur ke pacientë në terapi intensive do të thotë që situata është realisht për t’u tërhequr vemendja e popullatës, për shkak se është e vërtetë që është ulur vëmendja. Nuk janë vetëm moshat që janë me sëmundje kronike të shtruar në shërbimin infektiv, por aktualisht ka mosha të reja që janë në terapi intensive dhe kuptoni çdo të thotë të jesh në terapi intensive në një moshë shumë të re. Por desha të ndaj edhe një lajm shumë të mirë me ju sot. Për herë të parë nga ne kemi një pacient të ekstubuar, një 71-vjeçar që ka dalë nga intubimi, falë punës së madhe të gjithë shërbimit infektiv”, tha Çomo.
Mjekët e spitalit Infektiv bënë apel për respektimin e masave të distancimit, sepse, siç u shprehën ata, virusi është në qarkullim. “Shihni në këtu janë një ekipi i tërë mjekësh, infermierësh, sanitarësh, faramcistë, të cilët ditë dhe natë punojnë për t’ju gjendur pranë të sëmurëve. Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit nuk duhet të ulin kurrë vëmendjen ndaj vetes, ndaj përkujdesit të higjenës dhe sjelljes në kolektiv, në mënyrë që të mos të harrojmë disa norma që i fituam gjatë javëve të vetëizolimit. Ato ishin të dobishme, do të jetë të dobioshme nëse do të vijojmë t’i respektojmë. Ndërgjegjësimi, kujdesi, higjena, mbeten parësore në përballje të infeksionit të kësaj natyre sikundër është SARS COV2”, tha prof. Tritan Kalo.
“Vazhdon bëhet një punë gjigande në Spitalin COVID1. Takim i sotëm është shumë i rëndësishëm, pasi është moment për të bërë një rivlerësim për zbatimin e masave të vendosura, për të evituar këtë situatë që ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të mjaft njerëzve në parandalimin e kësaj sëmundje”, tha prof. Dhimitër Kraja.
“T’ju them të vërtetën nuk prisnim të kishim numër të lartë të rasteve në Qershor, por pas lehtësimit të masave të distancimit social, kjo ka ndodhur. Ajo që dua të them është që të mos ulim vigjilencën, të vijojmë të jemi të kujdesshëm pasi virusi është ende në qarkullim, tha prof. Pëllumb Pipero. “Më sëmundjet infektive është e rëndësishme të dihet që çdokush ka përgjegjësitë e veta. Përgjegjësi kanë institucionet, ka shëndeti publik, por përgjegjësi ka edhe shoqëria dhe sjellja individuale”, tha prof. Arian Harxhi.
“Një thirrje për popullatën, ju lutemi vijoni të respektoni masat. Virusi është akoma mes nesh, ne jemi akoma duke përballuar një punë voluminoze”, tha dr. Entela Kolovani. “Shtimi i numrit të rasteve është një këmbanë për popullatën. Ne jemi në shërbim për pacientët, për të cilët jemi jo vetëm mjekë por zëvendësojmë disi edhe familjarët të cilët ata nuk kanë mundësi t’i takojnë. Ajo që u kërkohet të gjithë qytetarëve është të tregojnë kujdes”, tha dr. Esmeralda Meta.
“Një lutje për popullatën, që gjërat të vijojnë të shkojnë mire, duhet të respektojmë distancimin social dhe kushetet e higjenës që të ruajmë veten dhe të tjerët”, ishte mesazhi i dr. Nevila Gjermeni.