Ministri i Turizmit dhe Mjedisit është ndalur këtë të mërkurë në Lezhë, nga ku i ka bërë thirrje sipërmarrësve të hoteleve në bregdet të aplikojnë për stacionet e plazhit përmes e-Albania.
Ministri Klosi, gjatë takimit me drejtuesit e hoteleve në zonën e plazhit, ka nënvizuar se nuk duhet përsëritur ajo që ndodhi vjet, ku nuk nuk kishte asnjë pëllëmbe rërë të pazënë dhe të ardhurat e grumbulluara nga Bashkia ishin larg realitetit e pritshmërive.
“Takimi i sotëm është bërë me kërkesë të kryetarit të bashkisë për të patur një komunikim të drejtpërdrejt me hotelierët dhe me poseduesit e kësaj pasurie të madhe që është rëra për të pasur një shpjegim se si do të kryhet sistemi i ri i menaxhimit të vijës bregdetare”,- tha Klosi në çelje të fjalës së tij.
“Në themel të kësaj nuk ndryshon asnjë gjë për sa i përket përfituesit të drejtpërdrejt që është qytetari. Do të duhet të kenë hapësira plazhi pa qenë të detyruar të ulen në shezlongë dhe patjetër të paguajnë para për t’u larë në det dhe ku përfitues i këtij shërbimi për një menaxhim më të mirë është Bashkia e Lezhës”,- tha Klosi.
“Është e papranueshme ajo që ndodhi vjet që megjithëse nuk kishte asnjë pëllëmbë rërë të pazënë, të ardhurat e grumbulluara nga bashkia ishin larg realitetit e pritshmërive. Ne kemi bërë një fotografim ajror të plazheve vjet dhe në bazë të saj kemi hartuar hartën dixhitale këtë vit. Gjithçka do të jetë shumë më e strukturuar e në kontroll. Vijën bregdetare për plazhet e lejuara e kemi çuar deri në Kurbin, pasi është e pa tolerueshme që në 400 km vijë bregdetare kemi vetëm 12% të shfrytëzuar. Aplikimi në e-Albania zgjidh 3 probleme, e para shmanget kontakti me administratorin, gjë që krijonte një keqadministrim, e dyta është sistem transparent ku çdo subjekt mund të aplikojë. E treta i kemi lënë mundësi më tepër zhvillimit të plazhit publik, që do të administrohet nga bashkia”,- tha Klosi, i cili demonstroi para hotelierëve si duhet aplikuar në e-Albania.