Seria A do të fillojë përsëri dhe Interi nuk ka ndërmend të dorëzohet në luftën për titull. Për momentin skuadra zikaltër është 9 pikë larg Juventusit, i cili kryeson renditjen e kampionatit italian. Sidoqoftë, Interi duhet të rikuperojë ndeshjen kundër Sampdoria, e cila, nëse fitohet, do t’i afrojë më tepër të besuarit e Antonio Conte me “Zonjën e Vjetër”. Ka ende shumë ndeshje, që akoma duhet të luhen në një kampionat që ndoshta do të jetë anomal dhe plot të panjohura. Zikaltrit duan t’i luajnë të gjitha kartat në dispozicion të tyre. Gjithashtu, sepse Antonio Conte mund të bazohet te një dyshe sulmuese që, në një klasifikim special, nuk ka rival në tokën italiane.
LUKAKU-LAUTARO, 39 GOLA
Le të hyjmë më shumë në detaje. Interi mund të bazohet te sulmi i vet mjaft produktiv, që përbëhet nga Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez. Edhe nëse në ndeshjet e fundit, para ndërprerjes së Serie A, dyshja në fjalë ishte ftohur pak në drejtim të golave, shuma e “rrjetave” të belgut dhe argjentinasit është akoma e madhe. Po marrim në konsideratë golat e shënuar në të gjitha garat.
Romelu Lukaku ka realizuar 17 gola në Serie A, 2 gola në Ligën e Kampionëve, 2 gola në “Europa League” dhe 2 gola në Kupën e Italisë, me një total prej 23 golash. Në vend të kësaj, Lautaro Martinez shënoi 11 gola në Serie A dhe 5 gola në Ligën e Kampionëve, me një total prej 16 golash. Në përgjithësi, pra, të dy lojtarët kanë shënuar 39 gola në të gjitha garat. Një numër për t’u mburrur, veçanërisht kur krahasohet me konkurrencën italiane.
I PARI NË ITALI, NDJEKIN LAZIO DHE JUVE
Megjithë vendin e tretë në renditje, në Itali nuk ka asnjë repart sulmues, që ka shënuar më shumë gola sesa ai zikaltër në përgjithësi. Juventus dhe Lazio ndjekin në këtë klasifikim special. Në veçanti, Lazio krenohet me një Ciro Immobile të aftë të shënojë 30 gola në të gjitha garat. Pranë tij, Felipe Caicedo, me 8 gola. Së bashku ata përbëjnë shumën e 38 golave, një më pak se “tandemi” Lukaku-Lautaro. Juventusi padyshim që bazohet te Cristiano Ronaldo (25 gola në total) dhe Paulo Dybala (13 gola). Së bashku, të dy barazohen me sulmin e Lazio, 38 gola.
EUROPA NËN KOMANDËN E BAYERN DHE PSG
Sidoqoftë, duke shikuar në krejt Europën (duke marrë parasysh vetëm top-pesë ligat), ne gjejmë duete sulmi për studime shkencore. Falë kampionatit, që tashmë ka rifilluar prej rreth një muaji, Bayern Munich kryeson klasifikimin special me duetin e përbërë nga Robert Lewandowski (46 gola) dhe Serge Gnabry (19 gola). Së bashku ata kanë realizuar 65 gola, por padyshim me më shumë lojëra në dispozicion.
PSG është i dyti në Europë dhe, përkundër ndërprerjes përfundimtare të Ligue 1, mbështetet ende në dy Kupa Kombëtare, ku mund të shënohen më shumë gola. Kylian Mbappé (30 gola) dhe Mauro Icardi (20 gola) kanë realizuar 50 gola në total për parizienët. Në renditje është edhe surpriza Leipzig, sulmi i të cilit ka shënuar gjithsej 47 gola. Kjo, kryesisht falë Timo Werner (31 gola) dhe Marcel Sabitzer (16 gola). Të dy shënuan së bashku 47 gola.