Sulmuesi italian i Brescias, Mario Balotelli, ka munguar sërish në stërvitje, mes spekulimeve se atë dhe klubin po i pret së shpejti një betejë ligjore lidhur me kontratën e futbollistit. Mediumet italiane – Ansa, Calciomercato dhe Tuttomercatoweb – pretendojnë se Mario Balotelli mungoi sërish, pa lejen e klubin, në kampin stërvitor të Brescias, Torbole, sot në mëngjes, transmeton Gazeta Express. Ky lajm vjen pasi 29-vjeçari kishte munguar edhe në seancat stërvitore të javës së kaluar, duke e nxitur pronarin e klubit, Massimo Cellinon, të thotë se kishte bërë gabim që e kishte sjellë në skuadër italianin. Tani raportohet se Cellino dëshiron t’ia shkëputë kontratën futbollistin, përkundër që Balotelli thuhet se dëshiron të vazhdojë në klub deri në fund të kontratës së tij. Edhe pse atij i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën e tij me Brescian, kjo kontratë do të shkëputet automatikisht nëse Brescia bie nga Serie A në Serie B në fund të sezonit.

Për këtë arsye, mediumet italiane raportojnë se së shpejti njëra palë mund të ngre padi ndaj tjetrës, varësisht nga vendimi qe merr klubi. Balotelli u stërvit të hënën me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa mungoi sot në mëngjes. Megjithatë, ai mund të paraqitet në Torbole më vonë, në orën 18:00, kur e ka një seancë individuale të caktuar.