Qarkullimi i parasë “cash” në ekonomi ka njohur rritjen më të fortë të viteve të fundit në prill të këtij viti, pikërisht gjatë kulmit të periudhës së pandemisë së Covid-19, kur shërbimet përmes e-banking u ofruan falas për shkak se Banka Qendrore mori një vendim për heqjen e komisioneve të transfertave.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rezulton se paraja në qarkullim jashtë bankave, arriti në vlerën e 2 miliard e 445 milionë eurove, duke pësuar një rritje me 3.3% kundrejt marsit dhe me 241 milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë.
Qarkullimi i parave të duart e shqiptarëve jashtë kanaleve zyrtareve ka arritur një rekord të ri për prillin, duke pothuajse u dyfishuar krahasuar me 10 vjet më parë.
Përpara një dekade, ky tregues ishte 1.5 miliardë euro, ndërsa prej vitit 2018 “cash-i” në ekonominë tonë për herë të parë ka kaluar nivelin e depozitave me afat në monedhën kombëtare dhe llogaritë rrjedhëse.
Ekzekutivi ka marrë një sërë masash për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në ekonomi, duke detyruar hapjen e llogarive bankare edhe për bizneset e vogla, ndërsa shumë pagesa në muajin prill, edhe ato të ndihmës ekonomike dhe pagave të luftës janë kryer përmes sistemit bankar.
Në prill individët dhe bizneset rritën kursimet në banka, si ato në llogaritë rrjedhëse, edhe në depozita.