Kryetari i Partisë Demokratike në njësinë nr 10 në Tiranë, Floriar Arapi ka dalë kundra kreut të opozitës Lulzim Basha.
Në një shkrim Arapi shprehet se Shqipëria ka nevojë për një opozitë që të kryej detyrën e opozitarizmit dhe jo të ruaj me çdo formë eskluzivitetin e opozitarizmit.
“Teatri ra, megjithëse se shumë e rëndë në imazh, shumë e vështirë për tu justifikuar me ato projektet 3d, megjithëse opinioni masivisht ishte kundër, megjithëse edhe shumë qëndrime nga jashtë vendit e dënonin prishjen e tij, teatri u shkatërrua.
Në fakt dukej si ndërrmarrje kamikaze e qeverisë, që të ndërrmerrnin këtë veprim ndërkohë që shkatërronin imazhin e tyre, por me sa duket verbimi financiar është verbim i rëndë dhe të bën që të mos shohësh e të mos mendosh aspak veprimet e tua, kur përpara janë milionat.
Arsyet pse teatri nuk duhej prishur ishin te forta, duke nisur nga faktori historik kulturor dhe ruajtja e tij, faktori urbanistik e arkitekturor ku qendra dhe i gjithe qyteti po shkaterrohen dita-dites me kullat përbindëshe që po dyfishojnë dendësine e popullsisë, e duke vazhduar me ndotjen që është në nivele të jashtëzakonshme, prej trafikut tejet të rënduar etj.
Megjithatë te gjitha këto nuk kishin aspak vlerë për pushtetin në fuqi te lidhur ngushtë me mafien e ndërtimit, të cilët vjedhin pronën shtetërore për të fitur qindra miliona euro dhe këtë e shesin sikur po bëjnë nje punë te mirë, e shesim se po bëjnë nje teatër të ri. Por ajo që me të drejtë do dyshonin shumë njerëz është, a ka teatër pas teatrit !? Përballë pushtetit qeveri-bashki, qëndruan artistët dhe shumë qytetarë që e ndjenin nevojën qytetare për mbrojtur teatrin dhe qytetin për arsyet e mësiperme etj.
Mirëpo te paorganizuar, të mbushur me hallet e përditshme, te dekurajuar nga zhgënjimet e pa fund, të karakterizuar edhe nga një ndjesi e ulët kolektive, reziztenca ishte e ulët dhe u desh që të mbështeteshin te opozita e cila kuptohet që është shumë më e mirëorganizuar dhe e stukturuar ne krahasim me qytetarët e thjeshtë dhe organizatat që e mbështesnin këtë kauzë. Por a e kreu opozita detyrën e saj në këtë aleancë ?!
Artistët si pjesë e kësaj aleance filluan te jenë protagoniste në protestat e opozitës duke kryer detyrën e tyre në marrveshje, aq sa filluan ta humbasin edhe identitetin e tyre, por çfare bëri opozita? Opozita vazhdoi të bëj atë që ka bërë sistematikisht në këto 7 vite opozitarizmi. Ajo i mbështeti qytetarët dhe artistët cdo ditë, përvec ditës kur erdhën fadromat për ta prishur teatrin. Në fakt detyra e opozites është, që ajo tu dalë perballë padrejtësive që bëhen nga pushteti dhe ti mbrojë fort, saqë mundësisht ti’a bëjë te pamundur pushtetit te veprojë, mirëpo nuk ndodhi kështu dhe ky nuk është rasti i parë, që opozita vepron kështu.
Rast i ngjajshëm ishte me banorët e unazës së re. Opozita i mbështeti me fjalë dhe ndonjeherë duke marrë pjesë në protestat e tyre, në këmbim këta banorë mbanin ne këmbë protestat e opozites, duke kryer pjesen e tyre te marrveshjes, por kur erdhën fadromat për te prishur shtëpitë e tyre, opozita nuk ishte aty dhe nuk ua ktheu borxhin. Rast i përafërt me këtë rasti kur banorët e Kuksit, pa lidhje me opozitën, ia bënë te pamundur pushtetit te vendoste traun vjedhjes, traun qe prish traditen shqiptare te bujarise, por cfare ndodhi më pas. Më pas hyri opozita, mori menaxhimin e protestës dhe kreu rolin e zjarrfikeses, duke e shpërbërë protestën.
Si këto ka plot raste te tjera, ku duket qartë që opozita nuk kryen detyrën e saj, te mbroj të drejtat e qytetareve, por ose i lë në baltë ose i tradhëton duke luajtur rolin e zjarrfikëses dhe shpesh ne media dëgjohen edhe zëra, se për sa kate pallati është shitur një kauzë e caktuar. Mirëpo opozita ka qenë gjithmonë shumë e kujdesshme për diçka. Ajo gjithmonë është kujdesur të mos e lërë vendin e opozitarizmit bosh, në mënyrë që mos ti humbi eskluziviteti i opozitarizmit. Për shembull, ajo bën protestë te ashper, por pasi është shembur teatri.
Ose dekleratat dhe qëndrimet i ka shume te ashpra, por veprat i ka marrveshje pas marrveshje dhe lëshim pas lëshimi që ia bën shumë rehatshme qëndrimin e Ramës ne pushtet, si psh reforma territoriale, ku Rama ishte 100 % i fituar, braktisja e parlamentit ku gjithashtu ia ka bere te mundur Rames praktikisht sikur i ka fituar zgjedhjet me 100%, ose mospjesemarrja ne zgjedhjet lokale ku i ka bere te mundur Ramës te fitoje 100 %. Te gjitha keto janë që ti hedhësh hi syve te shqiptarëve, kinse opozita është, por në të vërtetë opozita nuk është. Vjen një moment që kësaj hipokrizie i del boja sic po i del dita ditës. Shqipëria ka nevojë për një opozitë që të kryej detyrën e opozitarizmit dhe jo të ruaj me çdo forme eskluzivitetin e opozitarizmit.”- shkruan Arapi.