Komisioni Evropian do të paraqesë sot një rekomandim për një qasje të përbashkët dhe të koordinuar për rihapjen e kufijve të jashtëm.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA e mësoi këtë nga burime diplomatike europiane.
“Qasja do të sugjerojë një heqje të pjesshme dhe graduale të kufizimeve që fillojnë nga 1 korriku, drejt disa vendeve të treta, mbi bazën e një sërë kriteresh, të tilla si kriteri epidemiologjik, kushtet e sistemit shëndetësor dhe masat parandaluese të vendosura në vend”, thekson burimi.
Diskutimet po vazhdojnë mbi tekstin përfundimtar duke sjellë në vëmendjen e shteteve anëtare që ai të paraqitet sot në mëngjes.
Pika qendrore do të jetë arritja e koordinimit të 26 vendeve të BE-së (të gjitha përveç Irlandës) dhe katër vendeve të asociuara në Shengen si Zvicra, Lichtenstein, Islanda dhe Norvegjia për rihapjen në grupe të vendeve të treta, pra jo të gjitha në të njëjtën kohë, konform kritereve të përcaktuara në rekomandim.