Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, solidaritetin e Bashkimit Europian me Shqipërinë, në situatën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe në përballje me COVID-19.

“Ata që krijuan një formë skepticizmi lidhur me BE-në morën dy përgjigje të njëpasnjëshme spektakolare, për arsye se udhëtimi drejt BE-së përveçse transformon pa kthim vetë shtetin shqiptar për shkak të mekanizmave që ofron është një hapësirë solidariteti i treguar në mënyrë shembullore nga të gjitha vendet e BE-së dhe KE në periudhën pas tërmetit të 26 nëntorit”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se “ne disponojmë të gjitha mjetet e nevojshme financiare për të kryer me sukses një proces transformues rindërtimi që ka filluar”.

“Vetë BE është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm financiarisht por edhe me ekspertizën e vetë në një pjesë të rëndësishme të rindërtimit të shkollave të rrënuara. Edhe disa vende anëtare janë angazhuar në këtë proces gjë që ka shërbyer shumë për tu dhënë gjithë qytetarëve një sens real konkret të pse-së së madhe të kësaj ëndrre dhe faktit pse kjo ëndërr është e pakthyeshme dhe pa alternativë”, tha Rama. Ai theksoi se edhe në goditjen e dytë që morëm pas tërmetit, përballjen me COVID-19, BE ishte përsëri aty prezent me gjithë sëkëlldinë e jashtëzakonshme që patën vendet anëtare dhe konfuzionin e madh që u krijua”.

“Nuk na ktheu shpinën pot përkundrazi na ofroi solidaritet dhe na shtriu dorën. Një mbështetje që konfirmoi edhe një herë se sa i vlefshëm është ky projekt i madh dhe sa e patjetërsueshme është kjo ëndërr që ne e trashëgojmë në stafetë te brezi i ri i politikës”, tha Rama. Në rrugën drejt BE-së ai tha se mbetet edhe sfida e adresimit të krimit dhe korrupsionit, pro edhe në këtë aspekt rezultatet flasin vetë.

Përballja e Shqipërisë me COVID-19, tha Rama tregoi se ne kemi sot një sistem funksional institucional. “Nëse kjo do të kishte ndodhur 6 vite më parë kur ishim të sapodekretuar vend kandidat i BE-së apo 11 vite më parë kur aplikuam për të hyrë në këtë proces do të ishte shumë e vështirë, mbase e pamundur të përballeshim me këtë situatë pandemie”, tha Rama.

Ai tha se sistemi ynë i përballjes në frontin e betejës së drejtpërdrejt me sëmundjen është sot shumë më i përgatitur dhe ne ishim në kushtet kur mund të vinin në dispozicion një sistem të tërë dixhital që lehtësoi procesin e autorizimeve për nevojat kryesore elementare e jetike por edhe në mësimdhënie.