Bashkimi Europian injoroi një investigim të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative se Serbia i ka manipuluar shifrat e Covid-19, duke raportuar vetëm afro gjysmën e numrit të viktimave dhe të të infektuarve. Nga 19 marsi deri në 19 qershor, BIRN thotë se nga analizat e marra nga Sistemi Informativ Shtetëror për Covid-19, rezultojnë se kanë humbur jetën 632 persona të prekur nga virusi, por autoritetet kanë raportuar vetëm 224 viktima.

Arsyeja se përse Serbia i ka fshehur të dhënat, mund të lidhet me zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale që u mbajtën 1 javë më parë. Por fakt është që nga kjo fshehje vendi po përfiton heqjen e kufizimeve nga Bashkimi Europian. Zyrtarët në Bruksel vendosen ta mbajnë sërish Serbinë në listën e vendeve, qytetarët e të cilëve lejohet të udhëtojnë në zonën e Unionit.

Nga kjo listë u hoq Shqipëria, ndonëse vendi ynë ka rezultate më të mira në çdo kriter, krahasuar edhe me të dhënat zyrtare të Serbisë, të cilat dyshohet se janë të pavërteta dhe të manipuluara. BBC shkruan se vendimi i Bashkimit Europian erdhi pas një procesi ku është përzier politika, ekonomia dhe shëndeti publik, çka ka përçarë edhe vendet anëtare.

Sipas saj, Gjermania dhe Spanja kanë qenë më të rrepta, ndërsa Greqia apo Portugalia kanë dashur një listë më të zgjeruar, për të ndihmuar turizmin që është goditur nga pandemia. Greqia, ndryshe nga BE, vendosi t’i hapë kufijtë ajrore me Shqipërinë. Franca, nga ana tjetër, ka kërkuar reciprocitet.

BBC nënvizon se vendimi i Brukselit ishte i çuditshëm edhe për faktin se lejon vizitorë nga Kanadaja, Japonia dhe Kina, ndonëse Pekini nuk i lejon vizitorët nga vendet e BE-së, ndërsa nga ana tjetër do të ndalohen vizitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.