Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka qenë sot në Fier ku pas një vizite në Apoloni ka folur për mediat, ku ka deklaruar se krimi në Shqipëri ka pësuar ulje.
Sipas Lleshajt grupet kriminale në Shqipëri janë fuqizuar shumë prej kanabisit.
Lleshaj ka bërë thirrje për ruajtjen e mjedisit ndërkohë që dha edhe një mesazh të qartë për grupet kriminale:
“Intensiteti do shtohet për të goditur kriminalitetin dhe për të dhënë një mesazh të rinjve që joshen nga paraja e shpejtë: bëjini si të doni paratë, por në fund do t’ju merren. Asnjë qindarkë e nxjerrë nga krimi nuk do u mbetet”.
Në fjalën e tij, Lleshaj tha se mediat duhet të ndryshojnë qasjen ndaj policisë dhe të bëjnë dallimin mes policëve të ndershëm dhe ndonjë punonjësi të inkriminuar.
“Gjykata e Posaçme ka filluar të japë dhjetëra vendimet e para, ky proces do vazhdojë me intensitet të shtuar, me qëllim të shterojë burimet që financojnë krimin dhe për tu dhënë një mesazh të gjithë atyre të vjetër apo të rinj, kryesisht të rinjve që joshen që gabojnë për tu futur në rrugë kriminale me idenë se kjo është rruga për të bërë shpejt dhe lehtë para.
Dhe mesazhi që vjen prej këtij operacioni dhe legjislacioni të ri është që bëni çfarë të doni, siguroni, nëse u ka marrë Zoti mendtë, bëni krim, fitoni para por dijeni një gjë, paratë do ju merren një ditë me siguri.
Kjo është një thirrje për ata që nuk janë këtu e që mund të jenë shumë larg nesh, por ky është mesazhi i operacionit, do tu merren paratë, krimi nuk mund të jetë një biznes dhe duke përcjellë këtë mesazh ne besojmë që do kontribuohet në parandalimin e mëtejshëm të krimit dhe goditjen e atij që është bërë deri më tani.
Në këtë rrugë mund tu japim të rinjve e të rejave që joshen për tu futur në rrugë kriminale e ti themi që nuk ia vlen, thjesht nuk ia vlen, mund të bësh një ditë në rrugë kriminale por rreziku që nesër mund ta marrin është tepër i lartë, mund ta blesh një makinë në rrugë kriminale por rreziku që mund të ta marrin është i madh.
Ndërkohë janë dhënë vendime për sekuestrime resortesh e vilash që do i kalojnë publikut, qytetarëve, do i bëjmë shkolla, qendra shëndetësore, komisariate policie, madje tani jemi nën një lloj vështirësie për ti administruar këto asete që po grumbullohen e shteti do i japë për përdorim publik, tha Lleshaj.