Pas ankesave të studentëve se nuk kanë marrë kartonët e diplomave, reagoi ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Me anë të një njoftimi për mediat, ajo urdhëroi Universitetin e Tiranës të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve.
“Studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT. MASR nënvizon se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve. Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga Rektori i UT, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.”
Besa Shahini kërkoi që studentët që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike të pajisen menjëherë me diplomat përkatëse. Përfundimisht, MASR kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë!