“Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore. Ruçi falënderoi Kuvendin e Kosovës për organizimin e shkëlqyer të kësaj mbledhjeje, edhe pse në kushte jo të zakonshme si edhe për përkushtimin që kanë treguar gjatë presidencës për forcimin e mëtejshëm të kësaj organizate, duke realizuar një Presidencë dhe sesion produktivë dhe të efektshëm. Ruçi nënvizoi se është për të ardhur keq që sot nuk mundëm të ishim fizikisht në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë sesion, por në kushtet e pandemisë COVID-19, me të cilën po përballemi të gjithë, është në të mirën e përbashkët të takohemi në formë virtuale.

“Tema për të cilën po diskutojmë sot është shumë aktuale dhe e rëndësishme për rajonin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimi dhe mirëkuptimin në proceset integruese, në të cilat janë përfshirë vendet tona. Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, tha Ruçi. “Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendet tona të ndajnë përvojat e tyre në luftimin e pandemisë Covid-19, në mënyrë që të jemi të gatshëm për sfida të tjera të mundshme në të ardhmen. Fatmirësisht vendet tona u goditën më pak sesa rajonet dhe vendet e tjera të botës, përsa i përket humbjeve njerëzore”, tha ai.

Por, shtoi Ruçi, “nga pikëpamja e ndikimit në rritjen ekonomike, mirëqënien e popullsisë dhe ritmet e zhvillimi, pasojat edhe në vendet tona ishin po kaq të rënda”. “Bashkëpunimi ynë bëhet më emergjent, po të mbajmë parasysh se, edhe pse kishim humbje më të vogla jetësh njerëzore, për kthimin në normalitet të ekonomisë, zhvillimit, mirëqenies, shëndoshjes së sektorit privat, e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, ne do të ndeshemi me më shumë vështirësi sesa vendet e zhvilluara”, theksoi Ruçi. “Unë kam besim se, përveç mbështetjes që vendet tona do t’i japin njeri-tjetrit, në këtë aspekt nuk do të na mungojë as ndihma e BE-së, siç ndodhi edhe pas letrës që i dërguam Presidentit të Parlamentit Europian Sassoli, të cilin duhet ta falenderojmë për gadishmërinë dhe vullnetin për të ndihmuar rajonin tonë”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Në këtë sesion merrnin pjesë Kryetarë të parlamenteve dhe drejtues të delegacioneve parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Slovenisë dhe Turqisë. Në sesion mori pjesë edhe Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi. Ky sesion iu kushtua përshpejtimit të integrimit dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal midis parlamenteve të Europës Juglindore, në kushtet e pas pandemisë. Sesioni u drejtua nga Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, e cila ka kryesimin e radhës të kësaj organizate.