Bjellorusia do të nisë fluturimet “charter” dy herë në javë drejt Shqipërisë, duke filluar nga 12 qershori. Lajmin e ka bërë të ditur kompania e linjës ajrore “Belavia-Belarusian Airlines” ku thekson se fluturimet do të jenë të martën dhe të premten.
“Miq, kemi një lajm të shkëlqyer. Nga 12 qershori fillon programi charter në Shqipëri! Nisjet 2 herë në javë, të martën dhe të premten. Të gjitha detajet jepen me operatorët turistikë”, thuhet në njoftimin e “Belavia-Belarusian Airlines”.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi disa ditë më parë se “shpresoj shumë që në fillim të qershorit do të kemi të parët turistë të huaj që do të vijnë me charter të organizuar nga kompanitë turistike që nuk janë anuluar”. Këtë vit sezoni turistik për shkak të pandemisë CODIV-19 do të jetë nga 1 qershori deri më 15 nëntor.