Demonstruesit kundër racizmit zhvilluan përsëri protesta të shtunën në Britani, duke u përplasur me kundër-demonstruesit që kishin dalë për të mbrojtur monumentet, të cilat janë vënë në shënjestër për lidhjet e tyre me historinë koloniale.

Statuja të figurave historike si Winston Churchilli, udhëheqësi i Britanisë në Luftën e Dytë Botërore, të cilin protestuesit e quajnë ksenofob, ishin mbuluar me dërrasa për t’i mbrojtur nga dëmtimi.

Në Sheshin Trafalgar, policia ndau dy grupe me rreth 100 veta secili, njëri që thërriste “Black Lives Matter” dhe tjetri që hidhte parrulla me kontekste raciale.

Disa grupe hidhnin shishe dhe kanaçe si dhe ndiznin fishekzjarrë, ndërsa policia qëndronte e gatshme me qen dhe kuaj.

Demonstrata për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në qytetin Minneapolis janë zhvilluar në të gjithë botën. Në Britani debati ka prekur çështjen e monumenteve kushtuar personaliteteve që kanë lidhje me të kaluarën imperialiste të vendit, veçanërisht pas ngjarjes së fundjavës së kaluar, kur statuja e tregtarit të skllevërve Edward Colston u rrëzua dhe u hodh në gjirin e Bristolit.

Policia tha të shtunën se disa njerëz po sillnin armë për mitingjet në Londër. Autoritetet vendosën kufizime në rrugë për të dyja grupet dhe thanë se tubimet nuk do të lejohen të vazhdojnë pas orës 5 pasdite.

“Kushdo që mendon se mund të kryejë një krim ose të vandalizojë prona do të arrestohet,” tha Komandanti i policisë së Londrës Bas Javid në një deklaratë.

“KULTURA IME ËSHTË NËN SULM”

Në sheshin e Parlamentit, qindra njerëz me fanella futbolli, duke brohoritur “Angli, Angli”, dhe duke e quajtur veten patriotë, u mblodhën përkrah veteranëve të ushtrisë për të mbrojtur Cenotafin, përmendoren e luftës në Uajtholl të Londrës.

Grupi këndonte këngë në mbështetje të aktivistit të djathtë Stephen Yaxley-Lennon, i njohur gjithashtu me emrin Tommy Robinson.

Ata thërrisnin gjithashtu “Winston Churchill, është njëri nga tanët”, duke qëndruar pranë statujës së tij, e cila fundjavën e kaluar u spërkat me mbishkrimet “Churchilli ishte racist”.

“Kultura ime është nën sulm. Kjo është kultura ime dhe historia ime angleze. Përse duhet që Churchilli të rrehohet me dërrasa? Pse sulmohet Cenotafi? Nuk është e drejtë,” tha David Allen, një prej protestuesve.

Pak më larg, rreth 20 protestues kundër racizmit u mblodhën në Hyde Park, duke mbajtur pankarta me mbishkrimet Black Lives Matter.

Qindra njerëz morën pjesë gjithashtu në mitingje në qytete të tjera angleze, shumë prej tyre me maska në fytyrë për shkak të pandemisë. “Të jesh zezak nuk është krim,” lexohej në njërën prej pankartave në Reading.