Sulmuesi kryesor i Bayern Munich, Robert Lewandowski ka marrë çmimin lojtari më i mirë i sezonit të Bundesligës. Ky sezon ka qenë i shkëlqyer për lojtarin nga Polonia, i cili konsiderohet edhe si një nga golashënuesit më të mirë në Europë.
Bavarezi u bë lojtari i parë, që shënoi në 11 ndeshje radhazi të Bundesligës dhe ia ka dalë që të realizojë gola ndaj secilës prej skuadrave që luajnë aktualisht në elitën e futbollit gjerman.
Realizimi i 33 golave në këtë kampionat ka bërë që polaku të marrë “Këpucën e Artë” të
Ndërsa ekipi i Bayern mori për herë të tetë radhazi titullin kampion dhe mund të bëjë “tripletë”, pasi vijon të garojë në Kupën e Gjermanisë dhe në Champions League.
Ndonëse është parë si kulmi i karrierës, vetë Lewandowski ka thënë se ende nuk e ka dhënë maksimumin e tij, edhe pse në moshën 31-vjeçare:
“Unë nuk jam ende në periudhën më të mirë të karrierës. Së shpejti do të jem. Por, të gjithë këto janë thjesht numra. Jam i sigurt se momenti më i mirë i karrierës sime do të vijë shpejt. E di që kjo nuk është kontrata ime e fundit. Dua të luaj më gjatë dhe të qëndroj në top-formë.
Kam gjithë kohën para që të mendoj për të ardhmen, por ndihem vërtet mirë. Unë do të festoj ditëlindjen e 32-të në gushtin e ardhshëm, por kjo nuk do të thotë se ndjehem në këtë moshë. Ajo që dua nuk është vetëm të qëndroj në krye për dy ose tri vitet e ardhshme, po shoh në një plan më afatgjatë. Nuk mendoj për “Topin e Artë”, edhe pse në jetën time besoj se çdo gjë është e mundur”.-u shpreh ai.