Nga Prishtina, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, deklaroi se “askush në Shqipëri dhe Kosovë nuk bën plane, në llogari personale, për ta ndarë Kosovën”.
Këto komente, ai i bëri gjatë konferencës për shtyp në kryeqytetin kosovar, të cilin e vizitoi së bashku me kryeministrin Edin Rama.
Cakaj shtoi se nga takimi me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mund të përcillet mesazhi se “nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës, për çfarëdolloj interesi elektoral në SHBA”.”Ne duhet ta kuptojmë fare realisht pozicionin që e kemi në agjendat ndërkombëtare. Por, duhet ta kemi parasysh që koordinimi me SHBA-të është jetik për ta bërë më të mirën për Kosovën”, deklaroi ai.
Në 27 qershor, me ftesë të ambasadorit Grenell ishte parashikuar të mbahej takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Kjo do të përbënte hapin e pare drejt rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, i cili është ndërprerë që në fundin e vitit 2018, pasi Kosova i vuri vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.