Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, nga i Dërguari Special i Presidentit Trump për Negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, Ambasadori Richard Grenell, ndërsa deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Kosovës.

Padyshim që tema e diskutimit u përqëndrua në rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“Për sqarim: S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!“ – theksoi Cakaj në një postim në Facebook, sa i përket takimit të zhvilluar. Cakaj, gjithashtu, zëshëm shprehu se pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës.