Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë, Kenji Wakamiya.
Në fokus të bisedës ishin masat që duhet të ndërmerren për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe sjelljen e më shumë investimeve japoneze në Shqipëri. Sipas kryediplomatit Cakaj, rritja e komunikimit të lartë politik duhet të përkthehet edhe në një rritje cilësore të ndërveprimit ekonomik. Prandaj, homologët shprehën gatishmërinë për vijimin e vizitave të larta ndër-shtetërore, sapo të lehtësohen masat e imponuara nga pandemia.
“Vlerësuam shumë pozitivisht bashkëpunimin dypalësh dhe u pajtuam për t’i dhënë mbështetjen njëra-tjetrës në një varg nismash ndërkombëtare”, u shpreh Cakaj. Më tej, Cakaj i shprehu mirënjohjen qeverisë japoneze për ndihmën e vyer dhënë Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe luftën kundër pandemisë COVID-19.