Lisbona është qyteti superfavorit për të pritur fazën finale të Champions League, por vendimi zyrtar ende nuk është marrë pasi pritet sigurisht mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të datës 17 qershor.

Miniturneu final mbetet sidoqoftë i vetmi opsion i mundshëm. Kjo për të shmangur probleme të udhëtimeve (me pasoja rreziku të infektimit). Të gjitha skuadrat e grupuara në një seli të vetme. Por, ende nuk është vendosur nëse do të jetë “final four” apo “final eight”, pra në çerekfinale apo gjysmëfinale.

Ky vendim lidhet shumë edhe me ecurinë e kampionateve kombëtare dhe koha në dispozicion për Kupat. Çerekfinalet mund të luhen edhe në selitë e parashikuara dhe stadiumet e përkatësisë së ekipeve. Lisbona është finalja “më interesante” sot: e organizuar, me dy stadiume moderne, pak rrezike infektimi dhe fiskalitet i mirë. Nuk është e vetmja në listë, por më e avantazhuar se Frankfurti dhe Moska (që është dorëzuar).

Për Europa League flitet për dy mundësi: Budapest dhe Gjenevë. Sidoqoftë, faza finale do të zhvillohet në një seli emergjence sepse qytetet e paracaktuara – Stamboll (Champions) dhe Danzica (Poloni) – janë të shqetësuara për të pritur një ndeshje me dyer të mbyllura me kosto dhe pasoja ekonomike të llahtarshme. Ajo që UEFA po mendon (shkruan “Gazzetta dello Sport”) është të zhvendosë një vit më pas dy qytetet pritëse të këtij edicioni – Stamboll dhe Danzica (2021). Kështu, Shën Pjetërburgu dhe Sevilja do të shkonin në 2022 dhe Mynih e Budapest në 2023.