Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit bëri një thirrje për institucionet përgjegjëse, që sipas tij ato duhet të respektojnë detyrimet e tyre sa i takon çështjeve që lidhen me kushtet për anëtarësim drejt BE-së.

Socialisti theksoi se duhet të ndërtohet një mekanizëm që të vërë në lëvizje pune të gjithë institucionet që vonohen me plotësimin e këtyre detyrave. Mes të tjerash ai pohoi se do të donte që në këtë takim të ishte i pranishëm edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“Të kishim përballë dhe z. Basha të cilin e kemi ftuar dhe kemi shpresuar se do ta ndërmerrte këtë hap të rëndësishëm besimplotë se kur bëhet fjalë për integrimin, të jemi të gjithë bashkë. Do t’i sugjeroja qeverisë që të kemi një plan tjetër shumë më të detajuar që të hartojë masat specifike në zbatim të kushteve. Në planin kombëtar të negociatave duhet të kemi institucione përgjegjës që të kenë të përcaktuara drejtë për së drejti detyrat e tyre. Të respektohen afatet. Këshilli Kombëtar i Integrimit të ndërtojë një mekanizëm që të alertojë çdo institucion që vonohet. Çdo lloj vonese është humbje kohe për të përmbushur prioritete kryesore. Samiti i Zagrebit dëshmoi rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për BE dhe gjej rastin të shpreh mirënjohjen e të gjithë deputetëve të maxhorancës për atë solidaritet dhe mobilizimin e paketës kombëtare, duke rikonfirmuar se Shqipëria dhe 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e kanë të ardhmen pjesë të BE. Qeveria ka ngritur një strukturë negociuese dhe Z. Mazi gëzon mbështetjen e të gjitha palëve në Këshill”, -tha Balla.