Nga Luljeta Nelallari/
Koronavirusi, që mbërtheu gjithë botën, ka futur në një krizë të thellë dhe ka paralizuar edhe botën kulturore, e një ndër ta edhe aktrimin.Në këtë periudhë të gjatë pandemie, xhirimet e filmave në të gjithë botën nuk u ndaluan me ligj, por natyrshëm u bënë të pamundura për shkak të rrezikut të infektimit, në një kohë që është domosdoshmëri distanca sociale.Duke qenë se aktrimi vepron me trup, a përbën mosprekja një sfidë të madhe për aktrimin? Mosprekja apo kontakti fizik nuk vlen vetëm për skenat intime, por edhe për skena të tjera interpretimi, për shembull një grindje ku aktorët përleshen.Për shkak të kësaj situate të pazakontë, filmat hollivudianë kanë hequr skenat e seksit ose do t’i realizojnë ato me kompjuter.Sipas medias britanike “The Sun”, më 12 qershor do të lejohen xhirimet e filmave apo serialeve, por regjisorët janë urdhëruar që të respektojnë në maksimum rregullat e distancimit social.
Aktorët dhe stafi i xhirimeve do të testohen çdo ditë për COVID-19, ndërsa nuk do të lejohen skenat intime. Një dokument me 22 faqe u kërkon të gjithë prodhuesve të filmave që “skenat me kontakt të afërt të rishkruhen, të hiqen ose të realizohen me kompjuter”. Por çfarë ndodh me aktrimin në Shqipëri? Si është konceptuar të realizohen filmat dhe shfaqjet teatrore në një kohë që koronavirusi të çon natyrshëm drejt ndalimit të prekjes dhe skenave intime?Regjisori Bujar Alimani thotë për Gazetën “Si”, se për momentin xhirimet në vendin tonë janë të “ngrira”.
Regjisori Bujar Alimani
“Kompania ime e produksionit duhet të xhirojë një film të shkurtër në gusht-shtator dhe gjithçka është e ‘ngrirë’”, shprehet Alimani.Ndërkohë thekson se “çdo trajtim pastaj i skenave intime është çështje individuale e krijuesve”.Lidhur me shfaqjet teatrore dhe ndalimin e skenave intime e paqartë është situata edhe për drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe regjisorin Hervin Çuli.
“Është situatë absurde. Nuk ka asgjë të qartë për momentin”, shprehet Çuli për Gazetën “Si”.Për regjisoren Ema Andrea, mosprekja është një sfidë më vete për artistët, ndërkohë që shpreh pakënaqësi mbi mënyrën se si trajtohet arti në përgjithësi në Shqipëri.
Regjisorja Ema Andrea
“Në Shqipëri për artin ose mendohet në fund ose nuk mendohet fare. Nuk e di ç’do të ndodhë me konceptuesit e shfaqjeve, por natyrisht që mosprekja është një sfidë e re për artistët, të cilët duhet të gjejnë forma të reja për të komunikuar me publikun”, shprehet regjisorja Ema Andrea, ndërsa shton se “nuk di të them ndonjë gjë konkrete, sepse çdo krijues e gjen vetë rrugën e puthjes pa puthje”.
Regjisorja Andrea thotë më tej për Gazetën “Si” se projekti i saj është pezull, e për pasojë nuk ka bërë kërkime artistike për kufizimet në skenë.“Projekti im ka mbetur ‘varur’ në Ministrinë e Kulturës, ndaj nuk kam filluar asnjë kërkim artistik mbi mosprekjen”, përfundon Andrea.Vazhdimi i kësaj situate të pazakontë na lë në paqartësi për artin dhe kulturën tonë në përgjithësi dhe vijon të na mbajë larg skenave që do të donim të ishim.(Gazeta “Si”)